Kërcënoi Albin Kurtin, arrestohet një 20-vjeçar nga Zveçani

Nga A2 CNN
10 Janar 2025, 21:31 | Aktualitet

Kërcënoi Albin Kurtin, arrestohet një 20-vjeçar nga

Një person është ndaluar nga policia e Kosovës pasi përmes postimeve në rrjetin social “Instagram” ka kanosur kryeministrin Albin Kurti.

Arrestimin e tij e ka njoftuar Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda i Policisë së Kosovës në Prishtinë. Në njoftim thuhet se më 7 janar 2025 është iniciuar një rast për veprën penale “kanosje”, pas kërcënimeve ndaj Kurtit dhe postimeve kërcënuese për dhunë në emër të grupit të quajtur “Brigada Sever” në rrjetet sociale, shkruan A2.

Sipas informacioneve të siguruara nga Policia e Kosovës, veprimet hetimore kanë çuar në identifikimin e të dyshuarit, M. R. (mashkull kosovar, lindur në vitin 2004), i cili është arrestuar më 10 janar 2025 në Zveçan.

Gjatë ndalimit, ai është marrë në pyetje në prani të avokatit mbrojtës dhe është kryer një kontroll në banesën e tij, ku është gjetur dhe sekuestruar një armë gjuetie pa leje, përcjell A2.

Mediat në Kosovë raportojnë se me vendim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Arrestimin e 20 vjeçarit e ka bërë të ditur edhe zv/drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, i cili ka thënë se “arrestimi është kryer për rast kanosje”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos