KFOR me komandant të ri, Barduani: Kemi ende sfida të sigurisë, na duhet unitet

Nga A2 CNN
11 Tetor 2024, 20:09 | Aktualitet

KFOR me komandant të ri, Barduani: Kemi ende sfida të sigurisë,

Gjeneralmajor Enrico Barduani është komandant i ri i KFOR-it, misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë. Ai pason gjeneralmajorin turk Ozkan Utulash, ndërsa vetë bëhet komandanti i 14-të italian që drejton forcën shumëkombëshe.

Presidentja Vjosa Osmani, pasi i ndau Medaljen presidenciale ushtarake ish-komandatit Utulash, falënderoi forcat e NATO-s që qëndruan me Kosovën në sfidat e sigurisë, përfshirë edhe atë të Banjskës.

“Në emër të vendit tim, dua të tregoj dhe të angazhohem edhe një herë se populli i Kosovës dhe institucionet tona do të vazhdojnë të punojnë krah për krah me KFOR-in, si dhe me të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë për t'u siguruar që do të mbetet paqësore, vend i qetë dhe i sigurt siç është, ai që ofron siguri dhe prosperitet për të gjithë qytetarët e tij, pavarësisht prejardhjes së tyre”, tha presidentja.

Gjeneralmajori Utulash, që i mbetet merita për shtimin e trupave dhe pajisjeve ushtarake të KFOR-it gjatë mandatit të tij, tha se në terren ka ende sfida të cilat mund të kalohen falë vullnetit politik të Kosovës dhe Serbisë.

“Fatkeqësisht, shumë sfida mbesin dhe tensionet ende vazhdojnë. Dialogu i lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, të cilin NATO dhe KFOR-i në terren e mbështesin plotësisht si kornizën e vetme për një zgjidhje të qëndrueshme të çështjeve, vazhdon të përballet me pengesa. Megjithatë, mbetem optimist se me këmbëngulje të durim dhe një qasje konstruktive nga të gjitha vendet, këto pengesa mund të kapërcehen”, deklaroi Utulash.

Pasi mori detyrën, komandanti i KFOR-it, Enrico Barduani, kërkoi unitet në kapërcimin e sfidave në një kohë kur tensionet në të gjithë botën janë rritur ndjeshëm.

“KFOR-i ka kontribuar në konsolidimin e një mjedisi të qetë dhe të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë. Megjithatë sfidat mbeten dhe situata e sigurisë vazhdon të evoluojë prandaj është jetike që ne të vazhdojmë të ecim përpara së bashku”, deklaroi komandanti i ri i KFOR.

Gjeneralmajor Barduani do të udhëheq KFOR-in deri në tetor të vitit 2025. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos