Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti ishin të pranishëm në ceremoninë e certifikimit të 325 ushtarëve të rinj që i bashkohen Forcës së Sigurisë.
Gjatë fjalës së saj, presidentja Osmani u shpreh se këta ushtarë të rinj sot nisin rrugëtimin e mbushur me sfida për mbrojtjen e Atdheut.
“Ndjehem e lumtur që në këtë ceremoni të veçantë ndajmë së bashku emocionet e festës dhe kurorëzimit të suksesit të madh të 325 djemve e vajzave tona të gjeneratës 2023 të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Duke filluar rrugëtimin tuaj me plot sfida në mbrojtjen e atdheut tonë të dashur, Republikës së Kosovës, ju duke përvetësuar mësime dhe trajnime jeni formësuar dhe zhvilluar në ushtarak dhe karakter që përvetësojnë idealet e shenjta të detyrës, nderit dhe atdheut, të ndërlidhura me vlerat dhe standardet më të larta të ushtarakëve të vendeve anëtare të NATO-s”, tha Osmani.
Ndërkohë, kryeministri Albin Kurti mes të tjerash foli dhe për investimet që janë bërë në vitet e fundit për forcimin e mbrojtjes.
“Nga sot, ju filloni detyrën fisnike, po aq edhe sfiduese, për t’i shërbyer atdheut në mbrojtje dhe ruajtjes së paqes. U zotuam se ushtria do ta ketë përkrahjen e pakursyer të qeverisë, këtë e kemi dëshmuar çdo vit të qeverisjes sonë, fillimisht në vitin 2021, e ngritëm buxhetin për herë të parë mbi 100 milionë euro. Nga ai vit, buxheti për ushtri ka qenë për herë e më i madh e gjithmonë në ngritje sivjet, ai ishte mbi 200 milionë euro. Sipas kriterit të shteteve anëtare të NATO-s”, tha Kurti. (A2 Televizion)