Kritika për KQZ, nis me vonesë numërimi i votave për kandidatët

Nga A2 CNN
11 Shkurt 2025, 23:01 | Aktualitet

Kritika për KQZ, nis me vonesë numërimi i votave për
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nisi numërimin e votave për kandidatët për deputetë dhe verifikimin e atyre për subjektet politike për të hequr të gjitha dilemat pas problemeve me platformën e saj.

Numërimi nisi në vetëm 4 komuna, Prishtinë, Lipjan, Obiliq dhe Partesh ndërsa në 34 të tjera janë duke u bërë përgatitjet që votimi të nisë nga dita e mërkurë.

Misioni vendor për monitorimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim” vlerëson se vonesat në numërimin e votave të kandidatëve janë të papranueshme dhe dëmtojnë besimin në procesin zgjedhor pasi sipas legjislacionit ky proces duhet të kishte nisur të hënën në ora 08:00.

“Kërkojmë që KQZ-ja të angazhohet më intensivisht me të gjitha kapacitetet e saj, në mënyrë që të mos tejkalohen afatet ligjore dhe të mos krijohen vonesa që mund të ndikojnë në certifikimin e rezultateve”, raporton DNV.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve arsyetoi vonesat në fillimin e numërimit të votave me shkaqe “teknike dhe administrative”.

“Meqenëse është një ndërmarrje jashtëzakonisht komplekse sidomos edhe sa i përket aspekteve të organizimit të transparencës, natyrisht që është dashur edhe pak kohë por që nuk është ndonjë vonesë e madhe fillimi i numërimit të kutive të votimit të fletëvotimeve të votave të kandidatëve për deputetë”, u shpreh Valmir Elezi.

Në Qendrën Komunale të Numërimit në Prishtinë, ashtu sikurse edhe në çdo komunë tjetër, do të bëhet numërimi i votave të rregullta ndërsa ato me kusht do të numërohen pasi të përmbyllet kjo fazë.

KQZ nuk ka afate se kur do të mbyllet numërimi i votave të rregullta.

“Varet se sa shpejtë do të arrihet të bëhet numërimi i një vendvotimi dhe kjo lidhet drejtpërdrejt me pjesëmarrjen në çdo vendvotim besojmë që brenda pak ditësh do të arrijmë të përmbyllim këtë proces por pa dashur të japim ndonjë afat të caktuar”, shton Elezi.

Numërimi i votave në Kosovë bëhet për herë të parë në qendra komunale dhe të regjistruara me kamera. Procesi monitorohet nga vëzhgues të subjekteve politike, të organizatave të ndryshme dhe nga mediat. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos