“Kurti përdori gjuhë negative”, vëzhguesit e BE: Grenell dhe Serbia ndërhynë në zgjedhjet e Kosovës

Nga A2 CNN
11 Shkurt 2025, 20:48 | Aktualitet

Bashkimi Europian vlerëson pozitivisht zgjedhjet parlamentare të mbajtura në Kosovë. Në konferencën për media, misioni vëzhgues nxori në pah disa problematika, përfshirë vështirësitë gjatë fazës së procesit të numërimit. Por problemi kryesor qëndronte tek ndërhyrjet nga jashtë.

“Shumë bashkëbisedues na konfirmuan se anëtarët e Listës Serpska kanë ushtruar presion ndaj votuesve, si dhe që ka pasur ndërhyrje të vazhdueshme dhe të hapur nga Serbia. Gjatë fushatës ne kemi dëshmuar gjithashtu ndërhyrje nga Emisari i Posaçëm Amerikan, Ric Grenell, në rrjete sociale teksa kritikoi kryeministrin Albin Kurti. Ky mund të konsiderohet një ton aspak diplomatik”, tha Nathalie Loiseau, shefe e misionit të BE.

Megjithatë kritika pati edhe Lëvizjen Vetëvendosje për shkak të gjuhës së përdorur gjatë fushatës elektorale.

“Ne kemi vërejtur me shqetësim gjuhen negative nga partia në pushtet kundër medias dhe gjyqësorit. Bojkotimi i mediumeve specifike dhe debateve po ashtu ka kontribuuar në uljen e mundësive për votuesit që të bëjnë zgjedhje të mira dhe të informuara. Megjithatë, transmetuesit kanë dhënë kohë të barabartë për të gjitha partitë, por kjo nuk është shfrytëzuar nga të gjithë. Fushata në komunat kosovare me shumicë serbe ishte më e përmbajtur krahasuar me komunat tjera”, shtoi ajo.

Misioni vëzhgues i BE-së konsideroi problematike dhe mbështetjen nga shteti i Serbisë vetëm për një subjekt politik të komunitetit serb në Kosovë.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos