Kush duhet ta udhëheqë Kosovën? Qytetarët me pritshmëri të ndryshme nga zgjedhjet

Nga Rosalba Bejdo
20 Janar 2025, 20:10 | Aktualitet

Qytetarët në Kosovë kanë pritshmëri të ndryshme nga zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit. Disa vlerësojnë se kryeministri aktual, dhe kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti duhet të vazhdojë të qëndrojë në këtë pozitë, teksa sipas tyre ai po punon për të mirën e kombit.

“Sipas dëshirës time do doja të fitonte Vetëvendosja. Nëse do kisha mundësi partive tjera do ua shuaja votat, por nuk kam mundësi, sepse do doja që partitë e mëparshme mos të kthehen më në pushtet. Fëmijët e mi i kanë nga dy fakultete të përfunduar kanë shkuar jashtë, atëherë nuk kam mëshirë ndaj këtyre që kanë qenë e tani me merita të tij do doja t’i fitonte mbi 50%”, ka deklaruar qytetari Namani.

“Dihet se kush ka me fituar, Kurti po kush, s’ka kush tjetër...Nuk është korruptuar edhe po i ndjek ata që janë korruptua dhe ai fiton. Për komb ai po mendon, asnjë të tjerët nuk kanë menduar 20 vite shkel e shko”, tha qytetari Thaçi.

Por ndryshe mendojnë qytetarë të tjerë, sipas të cilëve partitë opozitare duhet të rikthehen në pushtet.

“Unë LDK-në e zgjedhi fituese. Punon më mirë dhe kontribuon më mirë, na e pamë se çka bëri për katër vjet”, thotë Mulliqi.

“Ma merr mendja që kame fitua PDK-ja...Se PDK është më e mira”, thotë Gashi.

Për Fazli Ukën, ish-luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk është me rëndësi se kush do të jetë fitues i këtyre zgjedhjeve.

“Jam invalid i luftës, po them cila të fitoj mirë është, nuk di më shumë çka mundem me thënë... Jam ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i plagosur dhe e marr një pagë të veteranëve. Nuk kam dhënë gjakun për të ma marr pagën. Mirëseardhje secila që fiton”.

Fushata për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë ka filluar, më 11 janar, e në garë janë 28 subjekte politike. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos