Pas 25 vitesh, në Komunën e Zveçanit, në veriun e Kosovës, janë vendosur tabela informuese në gjuhën shqipe, anglisht dhe serbisht, shkruan A2 CNN.
Njoftimin e ka bërë përmes një postimi në Facebook kryetari i kësaj komune, Ilir Peçi.
"Të gjitha këto shenja informuese janë thelbësore për banorët tanë dhe për të gjithë komunitetet që jetojnë këtu. Ato gjithashtu do t'u ofrojnë ndihmë vizitorëve nga e gjithë Kosova dhe më gjerë, duke treguar se kjo është një zonë ku diversiteti dhe bashkëjetesa janë vlera të çmuara. Bashkëpunimi ynë për të arritur këtë hap, gjithashtu shpreh angazhimin tonë të vazhdueshëm për promovimin e gjuhëve zyrtare në hapësirat publike", shkruan kryetari i komunës në postimin e tij. (A2 Televizion)