“Pa Rugovën s’do kishte UÇK”, Rama mesazh Kurtit: Forconi urat me të tjerët për paqen e plotë

Nga Rosalba Bejdo
10 Qershor 2024, 16:13 | Aktualitet

Pjesëmarrjen konferencën ndërkombëtare “Rugova dhe Perëndimi”, e cila u mbajt në Prishtinë me rastin e25-vjetorit të çlirimit të Kosovës, kryeministri shqiptar Edi Rama e shfrytëzoi për të nderuar figurën e Ibrahim Rugovës por edhe për ti përcjellë një mesazh kryeministrin Albin Kurti, me të cilin nuk pati një takim. Duke evokuar trashëgiminë e Rugovës pa të cilin siç tha nuk do të kishte UÇK, Rama e vuri theksin tek nevoja e forcimit të urave me aleatët, në mënyrë që të fitohet paqja e plotë. Kosova është gur i fortë në vend të vet, theksoi ai, por duke shtuar se duhet të zërë vend mes të gjithë gurëve të bashkësisë ndërkombëtare.

“Sot popujt e Ballkanit kanë një moment shansi historik në një kontekst rreziku historik, shansin që të qojnë parapa një projekt dialogu dhe orientimi drejt së ardhmes, secili guri i rëndë në vend të vet, e në këtë pikë Kosova është një gur i rëndë në vend të vet që askush nuk mund ta luaj nga vendi, por është edhe një gur i rëndë në vend të vet që duhet të zërë vend në mes të gjithë gurëve të Bashkësisë ndërkombëtare, duke formësuar plotësisht subjektivitetin e vet ndërkombëtar ose pastaj të hymë në rrugën që qon prapa e që dihet shumë mirë se çfarë pasoja ka në këtë zonë të Evropës, ku Rugova ishte kaq i vetëdijshëm dhe kaq i motivuar për të shmangur të dytën, duke frymëzuar të parën edhe në kohën kur siç thotë Kadare ishte pa pallat dhe pa komb. Dhe për ta realizuar këtë mision si një shans të kohës, ne do ta sjellim Evropën në Ballkan, shumë më parë se sa të qojmë Ballkanin në Evropë”.

Në konferencën në nder të 25-vjetorit të çlirimit ishte edhe Massimo D’Alemma, kryeministër Italian në kohën kur NATO-ja ndërhyri në Kosovë, me qëllim ndaljen e dhunës nga forcat serbe. Në fjalën e tij D’Alema tha se liderët në Ballkan duhet të kenë frymën e Rugovës dhe të qëndrojnë larg kurtheve të nacionalizmit.

“Ka qenë e vështirë që çdo person tjetër të jetë i krahasueshëm me të, sa i përket lidhjes me popullin e Kosovës dhe me ndërkombëtarët. Më shumë se kurrë, Ballkani nevojitet ajo që duhet të quhet fryma e Rugovës, kapaciteti i liderëve që ngrihet mbi popullin e vetë pa rënë në kurthet e nacionalizmit”, tha ai.

Edhe ambasadori amerikan në Prishtinë Jeffrey Hovenier nderoi lart figurën e Rugovës, i cili siç tha kishte qenë frymëzim dhe mentor për të. 

Sakaq kryetari i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku theksoi se mësimet politike të Rugovës ishin po aq të nevojshme tani, sa në vitet 90-të.

 

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani