Në 25-vjetorin e Çlirimit të Kosovës, presidentja Vjosa Osmani doli në një deklaratë të përbashkët për mediat, së bashku me ish-kryeministrin e Britanisë, Tony Blair. Osmani falënderoi mbështetjen që ka pasur vazhdimisht Republika e Kosovës nga Mbretëria e Bashkuar, ndërsa e konsideroi Blair-in si një mik të popullit të Kosovës.
“Më forcat aleate të NATO-s ju na shpëtuat nga shfarosja. Kosova sot është një nga trashëgimitë e tua… Shumë fëmijë të asaj kohe mbajnë emrin tuaj, ata janë dëshmi që sa shumë gjurmë keni lënë te ne.
Mbretëria e Bashkuar vazhdon të mbetet një prej aleatëve më të fuqishëm të Kosovës, një nga vendet e para që ishte përkrah nesh në liri, pavarësi e demokraci, prandaj ju shpreh mirënjohjen e thellë edhe në forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës. Suksesi i Republikës së Kosovës është dëshmi e angazhimit tuaj atëherë, dëshmi e angazhimit të vazhdueshëm të Mbretërisë së Bashkuar dhe dëshmi se sa e rëndësishme është partneriteti me aleatët tanë edhe sot dhe sa krucial është që ne të bëjmë hapa përpara.
I nderuar Sir Blair, trashëgimia juaj në Kosovë është trashëgimia e shpresës e lirisë dhe e partneritetit të qëndrueshëm. Ne jemi të nderuar që ju kemi mik dhe aleat të vazhdueshëm për paqe dhe progres. Populli i Kosovës ju vlerëson dhe do t’iu mbajë në zemër sot dhe përherë për kontributin tuaj të çmueshëm për lirinë tonë”, u shpreh presidentja Osmani. (A2 Televizion)