Ish-pjesëtari i UÇK-së Hasan Dakaj është arrestuar sot nga policia serbe teksa po udhëtonte me vëllanë e tij drejt Italisë. Lajmin e ka bërë të ditur avokati Xhevdet Smakiqi përmes një postimi në Facebook. Ai ka njoftuar se arrestimi ka ndodhur në pjesën tjetër të kalimit kufitar Merdare.
“Sot jam autorizuar nga familja Dakaj nga Prizreni që të mbrojë të drejtat ligjore të familjarit të tyre Hasan Dakaj, i lindur më 10.08.1980 nga Prizreni, i cili veç se ka qenë veç se ka qenë pjesëtar i UÇK-së është arrestuar në Merdare rreth orës 09:00 të mëngjesit derisa po udhëtonte me vëllain e tij drejt Italisë”, shkruan Smakiqi.
Ai thotë se sipas informacioneve të para, polica serbe Hasan Dakajn e kanë dërguar në qendrën e ndalimit në Kurshumli. Smakiqi ka kërkuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës që të interesohet për fatin e Dakajt.
“Si avokat i familjes Dakaj, i bëj thirrje urgjente MPJD-së që përmes kanaleve diplomatike të kërkojë lirimin e Hasan Dakajt dhe t’i lejohet lëvizja e lirë sikurse çdo shtetasi të Kosovës pa diskriminim. Stop persekutimit të shtetasve të Kosovës nga shteti i Serbisë, e cila po shkel lirinë fundamentale të lëvizjes së lirë me fokus ish-pjesëtarëve të UÇK-së”, përfundon avokati. (A2 Televizion)