SHBA e BE, një linjë për Ballkanin, Lajçak takohet me O’Brien, kërkon zbatimin e marrëveshjes së Ohrit

Nga Rosalba Bejdo
16 Janar 2024, 15:43 | Aktualitet

SHBA dhe Europa mbetën në një linjë sa i përket Ballkanit perëndimor. Këtë u kujdesën të theksojnë gjatë bisedimeve të zhvilluara në Davos, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajcak dhe ndihmë sekretari amerikan i shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien.

Në pumimet e forumit ekonomik botëror në Davos po marrin pjesë edhe liderë të tjerë nga rajoni I Ballkanit perëndimor, përfshirë kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç.

“Kam nisur javën në Davos me një takim O’Brien. Ishte e rëndësishme zhvillimi i kësaj bisede lidhur me Ballkanin në fillim të këtij viti. Ne duam të shohim rajonin duke lëvizur përpara dhe që qytetarët e tij të përfitojnë. Më vjen mirë që rikonfrmuam se ne jemi plotësisht në të njëjtën linjë”, tha Miroslav Lajçak.

Një ditë më herët, Lajçak në Davos u takua me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, me të cilin bisedoi për tema të dialogut, me theks të veçantë nevojën për zbatimin e menjëhershëm të marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Marrëveshja bazë u arrit shkurtin e kaluar në Bruksel, ndërkaq në mars në Ohër, palët u pajtuan për Aneksin e Zbatimit të kësaj marrëveshjeje. Por, BE-ja ka thënë se Marrëveshja në rrugën drejt normalizimit nuk ka nisur të zbatohet.

Marrëveshja për normalizim, prej 11 nenesh, ndër të tjerash parashikon edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos