Serbia ka ndërhyrë në procesin zgjedhor të Kosovës. Ky fakt është bërë i ditur nga shefja e Misionit të Bashkimit Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve në Kosovë, Nathalie Loiseau.
Në një intervistë për KosovaPress, Loiseau thotë se presidenti serb, Alaksandar Vuçiç, dhe zyrtarë të tjerë nga Beogradi, kanë bërë presion që të votohet një listë e caktuar. Loiseau kritikon po ashtu edhe të dërguarin amerikan për misione të posaçme, Richard Grenell për deklarimet e tij gjatë fushatës zgjedhore në vend.
“Ka aspekte pozitive, së pari ka shumëllojshmëri listash, duke përfshirë edhe në veri, kështu që ka shumë mundësi për votuesit, dhe votuesit që vijnë jashtë Kosovës, do të mund të votojnë lehtësisht si në zgjedhjet e mëparshme, pavarësisht thashethemeve. Do të isha më negative në lidhje me raportet për presionet që vijnë nga Serbia për të votuar për një listë të caktuar. Kemi dëgjuar zyrtarë të Serbisë që mbështesin një listë të caktuar, e cila është ndërhyrje në procesin zgjedhor. Po ashtu, ishim dëshmitarë të ndërhyrjes nga dërguari i posaçëm i SHBA-ve, [Richard]Grenell, dhe kjo është e pafat, shokuese dhe jo diplomatike. Kemi dëgjuar rregullisht presidentin [serb] Vuçiç, por edhe anëtarë të tjerë nga qeveria ose parlamenti i Serbisë, duke u thënë votuesve se duhet të votojnë për një listë të caktuar, dhe kjo nuk duhej të kishte ndodhur”, deklaron ajo.
Fushata zgjedhorë sipas Loiseau u karakterizua nga një gjuhë e ashpër. Kjo u ve re më shumë tek Lëvizja Vetëvendosje. Shefja e Misionit të BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve në Kosovë, ndër të tjera, thotë se personat me aftësi të kufizuara kanë pasur problem qasjen në disa qendra votimi.
Mbi 100 vëzhgues nga Bashkimi Evropian janë angazhuar ditën e zgjedhjeve më 9 shkurt, për çka Loiseau konsideron se ishte proces paqësor. Të drejtë vote në Kosovë kanë pasur mbi 1 milion e 970 mijë votues, ndërkaq numri i qytetarëve që kanë votuar më 9 shkurt është mbi 799 mijë.
(A2 Televizion)