Dyshohen si spiunë të Serbisë, policia zbulon armë dhe municione në banesat e të arrestuarve

Nga Tomorr Avdia
6 Qershor 2024, 15:10 | Kosova

Armë, municione dhe maska ushtarake gazi janë zbuluar në banesat e dy shtetasve kosovarë, të cilët u arrestuan për spiunazh ditën e mërkurë në Ferizaj.

Ishte policia e Kosovës që e dha një njoftim të tillë në një raporti 24-orësh, lidhur me çështjen. Me urdhër të Prokurorisë Speciale, Policia e Kosovës në bashkëpunim me AKI-në kanë bastistur shtëpitë e dy të arrestuarve Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi. 

“Gjatë kontrollit në lokacionet e dy të dyshuarve kosovarë, në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe sekuestruar dokumente të ndryshme, kompjuterë, telefona, USB, DVR, kaseta, armë dhe municione, maska, maska ushtarake gazi, si dhe shumë dëshmi të tjera.”

Prokuroria bëri të ditur se dy shtetasit kosovarë u arrestuan pas një hetimi disamujor dhe se i ngarkon ata me veprën penale “spiunazh”.

Ata janë ndaluar për 48 orë, me vendim të prokurorit. Njëri nga të dyshuarit, Bedri Shabani, dikur ka qenë zyrtar në Doganën e Kosovës, i cili ishte larguar nga puna në vitin 2004.

Lidhur me rastin nuk janë dhënë më shumë detaje, por mediat lokale raportuan se personat e arrestuar dyshohet se kanë spiunuar për Agjencinë Serbe të Sigurisë dhe Informacionit (BIA).

Në një reagim më vonë të mërkurën, BIA tha se e mohon "çdo lidhje me personat e arrestuar në Kosovë".

Agjencia serbe shtoi se bëhet fjalë për "përpjekjet e Prishtinës për përhapjen e lajmeve të rreme”.

Në bazë të legjislacionit kosovar, të dyshuarit rrezikojnë nga pesë deri në burgim të përjetshëm, varësisht nga pasojat që i kanë shkaktuar në aspektin e sigurisë, fuqisë ekonomike apo ushtarake të shtetit.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi