Të mërkurën në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës ne dy seanca të ndara filloi gjykimi në mungesë kundër Millovan Jovanoviç dhe Dejan Raciç, të cilët akuzohen për përdhunimin e grave shqiptare gjatë luftës së fundit.
Gjykimet në mungesë sollën debat për shkak të përvojave jo të mira të këtyre proceseve në vendet e tjera që dolën nga luftërat në ish-Jugosllavi e që u kontestuan në Gjykatën e Strasburgut. Megjithatë juristët mendojnë se Kosova ka një legjislacion që ka marr miratimin edhe të Komisionit të Venecias.
“Dispozita aktuale të nenit 303 të Kodit të Procedurës Penale në bindjen time janë të hartuara jashtëzakonisht mirë dhe në këtë drejtim janë të konfirmuara edhe nga ana e Komisionit të Venecias që nuk i shkelin standardet ndërkombëtare për sa i përket një gjykimi të drejtë”, u shpreh avokati Ardian Bajraktari.
Para se të nis gjykimi, institucionet ligjzbatuese duhet të shtjerrin të gjitha mundësitë në mënyrë që të sigurohet prezenca e të pandehurit dhe vetëm pasi gjykata të jetë e bindur se është bërë maksimumi nga e ana e prokurorisë mund të nisë procesin.
“Në rast se zbatohen dispozitat e këtij neni që është bukur i strukturuar mirë kam përshtypjen që sigurohet një gjykimi drejtë dhe besoj që do të mund të mbijetojë edhe çfarëdo kontestimi eventual në mekanizmat e tjerë përtej Kosovës”, theksoi avokati.
Mungesa e bashkëpunimit nga ana e Serbisë për krimet e luftës bëri që Kosova të ndryshonte Kodin Penal dhe të përfshinte gjykimin në mungesë pasi sipas shtetit kjo do të sillte drejtësi për viktimat. (A2 Televizion)