I akuzuari për krime lufte, Zlatan Arsiq është liruar nga akuzat. Të njëjtit i është ndërprerë edhe paraburgimi.
Ish-pjesëtar i forcave policore serbe, Arsiq, i cili pas luftës ka qenë edhe pjesëtar i Policisë së Kosovës, akuzohej për torturë, trajtim çnjerëzor, dëbim e djegie të shtëpive të shqiptarëve gjatë shkurtit dhe marsit 1999 në Kamenicë.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Arsiq e ka ndalur fillimisht Besim Muhaxherin dhe familjarët e tij me anë të veturës së policisë e më pas në mënyrë çnjerëzore e ka keqtrajtuar viktimën duke e rrahur me shufër gome, shkelma dhe grushte, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, të cilat e kanë kanosur seriozisht atë me jetë.
Në aktakuzën e ngritur në korrik 2023 thuhet se, Arsiq e kishte goditur me shuplakë të dëmtuarin Muhaxheri dhe ia kishte vendosur tytën e automatikut në fyt, duke e kërcënuar me vrasje. (A2 Televizion)