Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, u shpall i pafajshëm për hedhjen e gazit lotsjellës në ambientet e Parlamentit në gusht të vitit 2016 sa ishte deputet.
Gjykata nuk kishte prova se hedhjen e gazit lotsjellës gjatë një mbledhjeje të Kryesisë së Kuvendit e kishte bërë Konjufca duke e liruar nga akuza për “Përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Në favor të Konjufcës ishin edhe dëshmitë e deputetëve të partive të ndryshme të cilët ishin ftuar si dëshmitarë të rastit.
“Pas analizimit të të gjitha provave personale dhe materiale që ka pasur në dispozicion gjykata ka konstatuar se nuk është vërtetuar gjendja faktike si në dispozitiv të aktgjykimit, ashtu që mungon vërtetimi për sekuestrim të sendeve më të cilën gjykata do të vërtetonte faktin se i pandehuri ka kryer veprën penale ‘Përdorim i armës’ nga neni 375 paragrafi 1 i KPRK-s”, tha Edita Çanta, Gjykatëse.
Konjufca akuzohej se kishte penguar edhe deputetët e tjerë në kryerjen e detyrave zyrtare kur kishte hedhur gazin, por që akuza është parashkruar pasi ishte ngritur vite më parë dhe si e tillë është refuzuar.
Mbrojtja e Konjufcës e vlerësoi të drejtë vendimin e Gjykatës së Prishtinës.
“Konsiderojmë se ky vendim ka qenë i mirëpritur edhe nga ana e mbrojtjes dhe në përputhje edhe me bindjen tonë se klienti im ka qenë i pafajshëm lidhur më akuzën e ‘Përdorimit të armës apo mjetit të rrezikshëm’, e konsiderojmë si vendim të drejtë dhe në përputhje me gjendjen faktike të cilës i mungojnë provat dhe argumentet me të cilat do të vërtetohej e kundërta”, deklaroi Arbnora Zeqiri, avokate e Konjufcës.
Vetë kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca nuk ishte i pranishëm në gjykatë në momentin kur u shpall i pafajshëm. (A2 Televizion)