Çështja e dinarit serb në Kosovë mund të zgjidhet brenda vendit dhe nuk kishte përse të shkaktonte përplasje mes Prishtinës dhe aleatëve të saj. Kështu u shpreh presidentja Vjosa Osmani, e cila u bëri thirrje institucioneve në Kosovë të punojnë për zgjidhjen e çështjes bazuar në ligjet në vend, por edhe me mbështetjen e aleatëve.
“Kjo çështje mund të zgjidhet këtu në Kosovë. Në fakt, nuk është dashur të bëhej çështje fare. Nuk është dashur të krijohet si përplasje me aleatët. Jam e bindur se, nëse ka vullnet për një takim, i cili mund të zgjasë vetëm disa orë, mund të ulen të gjitha institucionet që do ta zbatojnë në praktikë rregulloren e BQK-së dhe të dalin me hapa konkretë duke u bazuar në ligjet që ekzistojnë në Kosovë dhe ta marrin edhe mbështetjen e aleatëve për zbatimin e saj”.
Duke përmendur edhe sfidat e mëdha të sigurisë me të cilat përballet vendi, me Serbinë që siç tha synon çdo ditë të gllabërojë tokën e Kosovës, Osmani theksoi se Kosova nuk mundtë ecë e vetme përpara.
“Në kufi e kemi një shtet që çdo ditë synon agresionin ndaj Kosovës, që çdo ditë synon gllabërimin e territorit tonë, që çdo ditë synon edhe sot 25 vjet pas lufte, vrasjen e qytetarëve tonë siç e pamë edhe me vrasjen e heroit Afrim Bunjaku. Në këto sfida, neve na duhen aleatët tonë, ne vena duhen partnerët tonë. Pra, jo vetëm si shenjë falënderimi për atë që kanë bërë në të kaluarën, por edhe si vizion për atë se çka na duhet në të ardhmen. Kosova nuk mundet të ecë përpara vetë. Në fakt as një shtet në botë s’mund të ecë vetë”.
Osmani deklaroi gjithashtu se pas zgjedhjeve në Bashkimin Europian, me gjasë do të ketë një ndërmjetës të ri që do të marrë përsipër dialogun Kosovë-serbi, prandaj sipas saj, këtë muaj, deri në zgjedhje, janë vendimtar për procesin. (A2 Televizion)