Stano kritikon Bislimin! BE cakton takim për dinarin serb më 27 shkurt në Bruksel

Nga Xhevahir Qardaku
22 Shkurt 2024, 15:08 | Politikë

Bashkimi Europian ka thirrur një takim në datën 27 shkurt në Bruksel për të diskutuar çështjen e dinarit serb në Kosovë. Këtë e konfirmoi zëdhënësi, Peter Stano, gjatë një konference për shtyp.

Zyrtari ka thyer dhe rregullin e tij të artë, për të mos komentuar deklaratat e politikanëve në Prishtinë dhe Beograd, praktikë e cila faktikisht është shkelur vazhdimisht në drejtim të Kosovës dhe jo ndaj Serbisë. Stano tha se sjellja e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi ndaj zyrtarëve të BE-së është e papranueshme.

“Zakonisht ne nuk i komentojmë shkëmbimet me partnerët tanë. Megjithatë, ftesa përmes letrës nga i dërguari i posaçëm Lajçak nuk kishte specifikuar se kush duhet të përfaqësojë Kosovën dhe kush Serbinë, kjo i ishte lënë palëve ta vendosin. Ne shpresojmë se zoti Bislimi do t'i vlerësojë përpjekjet, në vend që, në mënyrë të pabazë, t'i akuzojë zyrtarët e BE-së. Një sjellje e tillë është e papranueshme”, tha Peter Stano, zëdhënës i BE.

Kryenegociatori i Kosovës refuzoi gjatë të mërkurës një ftesë të BE-së për të biseduar për çështjen e dinarit serb dhe akuzoi ndërmjetësuesin për dialogun, Miroslav lajçak, për shkelje të parimeve. Bislimi nënvizoi se kjo është hera e parë që zyrtari europian ka caktuar një takim pa pajtim paraprak me palët.

Ndërkohë, nga ana tjetër, zyrtarët në Serbi, përfshirë presidentin Aleksandër Vuçiç, vazhdojnë ta shfrytëzojnë çështjen e dinarit serb në Kosovë, duke shprehur gatishmëri që të shkojnë në Bruksel për të diskutuar për një çështje të brendshme të Kosovës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos