Sanksione të reja për Kosovën? Shpërfillja e kërkesave ndërkombëtare mund ketë pasoja

Nga Rosalba Bejdo
19 Shkurt 2024, 20:42 | Politikë

Shpërfillja e kërkesave të aleatëve ndërkombëtarë për shtyrje të vendimit për dinarin serb mund të sjellë masa të reja ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës. Kështu mendojnë analistë politikë të intervistuar nga Kosova Press. Sipas tyre Kosova nuk I ka arritur në asnjë rast të gjitha qëllimet me një vendim, prandaj nevojitet koordinim me aleatët.

“Praktikisht rrezikon shumë sepse përveç që mund t’i sjell sanksione, mund t’i bëhet kusht për të lëvizur më tej, sikurse po përflitet që do t’i bëhet Serbisë për anëtarësim në unionin evropian, zgjidhja ose normalizimi i raporteve me Kosovën. Ky kusht mund t’i shtohet edhe vendit dhe natyrisht do të jetë edhe më vështirë që Kosova të përbëj edhe gjëra që nuk i ka paramenduar më parë, probleme të reja që mund të dalin në dialog, siç ka qenë rasti i dinarit”, thotë analisti Arbnor Sadiku.

Edhe analisti Arton Demhasaj, mendon se ka tendencë nga Brukseli që të ashpërsojë masat ndëshkuese ndaj Kosovës, për shkak të vendimit për dinarin.

“Duhet të analizojmë pasojat që i sjell ky vendim, qoftë edhe i ligjshëm. Pasojat janë ato që ka pakënaqshmëri nga ShBA-ja dhe nga vendet e Bashkimit Evropian. Prandaj mund të ketë tendencë nga BE-ja që t’i ashpërsojë sanksionet ndaj Kosovës, por në këtë logjik po ta bëjë këtë vetëm ndaj Kosovës, konsideroj se është e padrejtë”, tha Demhasaj.

Por nuk e mendon njësoj deputeti i LVV-së, Driton Hyseni. Sipas tij, masa të reja ndëshkuese ndaj Kosovës nuk do të ketë, madje thekson se BE-ja duhet t'i largojë sa ma parë ato ekzistuese.

“Masat që janë vënë nga BE-ja janë jashtëzakonisht të panevojshme, kanë qenë të paarsyeshme qysh nga fillimi i tyre. Duhet të ketë parasysh një fakt BE-ja që institucionet e Kosovës janë duke e bërë të pamundurën që të shkohet drejt një procesi tëri elektoral, porsa të kryhen këto proceset të cilat i kërkon normativa jonë juridike, qoftë për peticionit dhe pastaj të shkohet në proceset e radhës, pasi KQZ-ja të bëjë verifikimin e nënshkrimeve të këtyre votuesve”, u shpreh Hyseni.

Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës, që ka hyrë në fuqi më 1 shkurt, parashikon që euro të jetë valutë e vetme e pagesave në Kosovë.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli