Instituti i Krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë ka pranuar 600 dosjet e para për krimet e kryera në rajonin e Prishtinës nga Këshilli Koordinues i Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës, në një ceremoni që mori pjesë edhe kryeministri Albin Kurti.
Ngritja e këtij instituti u tha se i shërben së vërtetës ndërsa u ftuan të gjithë pa përjashtim të dorëzojnë dëshmitë e tyre për krimet që kanë ndodhur 26 vite më parë.
“Dokumentimi i krimeve të luftës ndihmon në parandalimin e përsëritjes së tyre në të ardhmen. Na ndihmon të ndërtojmë një shoqëri me të drejtë, më paqësore e po ashtu shërben si dëshmi e rëndësishme për brezat e ardhshëm të cilët do të vijnë pas nesh”, tha Kurti.
Dokumentimi i krimeve përmes institucioneve shtetërore
“Ceremonia e sotme e pranim-dorëzimit të dokumenteve të para nënkupton jo vetëm një hap të rëndësishëm në dokumentimin e krimeve të luftës, por edhe një zotim për të mos harruar kurrë viktimat dhe për të ndërtuar një të ardhme më të mirë në bazë të së vërtetës, drejtësisë dhe paqes së qëndrueshme”, u shpreh Atdhe Hetemi, Drejtor i IKKL.
“Shumë dëshmi e fakte na kanë humbur duke u bartur nga njëri vend në tjetrin vend, duke i ndërruar zyrat, në pamundësi për t’i ruajtur”, shtoi këshilltari koordinues Ahmet Grajçevci.
Kurti është pyetur edhe për padinë për gjenocid ndaj Serbisë, por nuk dha shumë detaje, duke u mjaftuar se duhet të ketë drejtësi për nder të viktimave.
“Ky gjenocid as nuk harrohet, as nuk falet, as nuk shlyhet, andaj e rëndësishme është drejtësia për urdhërdhëënsit, për ekzekutorët, në mënyrë që të kemi rehabilitim për viktimat e në të njëjtën kohë që të mos mohohet gjenocidi”, shtoi Kurti. (A2 Televizion)