Akuza për transport parash, Berisha: Hetim parlamentar për fluturimet e Ramës

Nga A2 CNN
21 Korrik 2026, 15:25 | Politikë

“140 fluturime të Edi Ramës në dy vite me avion në dispozicion, kanë ngjallur dyshime të ligjshme në mbarë Evropën”. Partia Demokratike do të rikthejë në Kuvend kërkesën për hetim parlamentar të udhëtimeve të kryeministrit. Sali Berisha e akuzon Edi Ramën për lëvizje të shumave të parave përmes fluturimeve jashtë vendit.

“PD ka paraqitur kërkesën për komisionin hetimor parlamentar për këtë çështje, si një çështje themelore dhe Edi Rama e ka refuzuar në mënyrë kategorike komisionin. Ka të dhëna tronditëse. Ka të dhëna që provojnë transportin e parave. Ka të dhëna që faktojnë se valixhet diplomatike të qeverisë shqiptare, me Ismail dhe pa Ismail, janë numerikisht më të shumta se të gjitha valixhet diplomatike të Evropës”.

Si shtysë e re për demokratët është bërë një intervistë e deputetit të Parlamentit Evropian, Tomas Zdeçovski ku, sipas pohimit të Berishës, ka deklaruar se, përmes parimit të gjurmimit të parasë, po verifikojnë nëse Edi Rama ka transportuar para jashtë vendit përmes familjarëve të tij.

“Edi Rama nuk mund të heshtë. Deklarata bombë e europarlamentarit çek është një kontribut madhor pasi PD do rikthejë përsëri kërkesën për krijimin hetimor parlamentar për të hetuar transportin e parave dhe të drogës me avionin privat taksi të Edi Ramës në mbarë Evropën dhe më gjerë”.

Pasi Berisha riktheu në kujtesë akuzat e tij vitet e fundit nga foltorja e PD dhe gjatë arrestit në shtëpi, bëri thirrje për hetim edhe nga agjencitë europiane të zbatimit të ligjit.

“Nga ana tjetër i bëj thirrje Prokurorit Publik të BE të ndërmarrë menjëherë hetime për këtë problem tmerrësisht shqetësues. I bëj thirrje Interpolit, Europolit dhe Eurojust të angazhohen në hetimet më serioze të Edi Ramës. Ky hetim ka një vlerë dhe rëndësi të jashtëzakonshme për shqiptarët”.

Berisha ju rikthye akuzës me të cilën e quan SPAK seksion të Partisë Socialiste, teksa tha se për Ramën nuk ekzistojnë ligj dhe Kushtetutë.

“Ndaj dhe ajo që mbetet si shpresë e vetme është kryengritja e fuqishme paqësore popullore që çon në largimin e Edi Ramës”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos