
Katër persona dyshohet se kanë grabitur gjatë orëve të para të mëngjesit magazinat e një kompanie postare në Yrshek, duke përdorur një pistoletë lodër për të kërcënuar punonjësit.
Sipas burimeve për gazetarin e A2CNN Igli Çelmeta, rreth orës 01:10, katër shtetas, nën kërcënimin e një pistolete lodër, kanë marrë tre pako nga magazinat e postës dhe janë larguar menjëherë nga vendngjarja.
Ndërkohë shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar pistoletën lodër që dyshohet se është përdorur gjatë grabitjes.
Ndërkohë, në fshatin Kashar, në lagjen “Sorraj”, është konstatuar duke u djegur një automjet, i cili dyshohet se është përdorur nga autorët për t'u larguar pas grabitjes.
Automjeti është sekuestruar për ekspertim, ndërsa grupi hetimor po punon për të zbardhur plotësisht ngjarjen, identifikimin dhe kapjen e autorëve, si edhe për të përcaktuar përmbajtjen e pakove të grabitura. (A2 Televizion)