Shumica e shqetësimeve për Asociacionin do të merren në konsideratë nga Bashkimi Europian. Këtë e njofton presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, që zbuloi detaje të reja nga biseda e zhvilluar me emisarin e posaçëm për dialogun Prishtinë-Beograd, Miroslav Lajçak.
Ajo shprehu besim të plotë tek Gjykata Kushtetuese për eliminimin e çdo dyshimi lidhur me draft-statutin europian, ndërsa theksoi se diskutimi me Brukselin për formimin e këtij mekanizmi menaxhues për serbët në Kosovë mund të shkojë deri në verë.
“Jam e bindur që kurdo që ky draft pas formalizmit të marrëveshjeve, shkon në Gjykatën Kushtetuese, në atë moment secili prej nesh si institucione do të kemi mundësinë që të tregojmë argumentet tona se dispozita të caktuara mund të krijojnë probleme dhe sfida të mëdha në praktikë gjatë zbatimit. Jam e bindur se gjykata duke marrë për bazë tekstin e kushtetutës dhe njëkohësisht edhe vendimin e vitit 2015, që paraqet një udhërrëfyes sa i përket asociacionit do t'i jep drejtim kësaj çështje dhe të eliminojë edhe këto probleme në praktikë”, tha Osmani.
Presidentja bëri me dije se nuk diskutoi me Lajçakun për çështjen e dinarit serb, por nënvizoi se në Kosovë lejohet vetëm qarkullimi dhe përdorimi i monedhës zyrtare, që është euro. Zonja Osmani u pyet edhe për mundësinë e caktimit të një date për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
“Zgjedhjet sipas afateve të rregullta duhet të mbahen në fillim të vitit 2025, në qoftë se partitë politike kanë dakordim për t'i mbajtur ato më herët, janë disa opsione të cilat i lejon Kushtetuta e Kosovës. Në qoftë se arrijnë këtë dakordim, në parim ata që dakordohen dhe e shpërndajnë kuvendin, si presidente unë e shpalli datën e re të zgjedhjeve brenda 30 deri 45 ditëve”.
Nga Lëvizja Vetëvendosje, Glauk Konjufca sinjalizoi disa ditë më parë se partia në pushtet mund të pranojë kërkesën e partive të opozitës për ta çuar vendin në zgjedhje të parakohshme. Por diçka zyrtare ende nuk ka. (A2 Televizion)