Ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nuk ka marr pjesë në seancën gjyqësore në Hagë, për shkak të problemeve shëndetësore dhe nevojës për konsulta mjekësore. Lajmin e ka bërë të ditur në fillim të seancës, avokati i tij, Luka Misetiç i cili tha se Thaçi nuk ndjehej mirë, por që nuk ka informacione të tjera pasi nuk ka komunikuar me të.
“As unë nuk kam asnjë informacion. Sekretarja e seancës më njoftoi që klienti nuk ndjehej mirë dhe nuk mund të merrte pjesë në seancën e sotme”, u shpreh ai, shkruan A2.
Më pas, edhe kryetari i trupit gjykues të Gjykatës Speciale, Charles Smith konfirmoi se Thaçi ka problem me shëndetin dhe i është dashur të konsultohet me një mjek.
“I vetmi komunikim që nuk ka qenë mirë nga shëndeti dhe duhet takohej me një mjek“, u shpreh ai.
Pas disa minutave të ndërprerjes së seancës, procesi gjyqësor vazhdoi pasi avokati i Hashim Thaçit, Luka Misetiq tha se edhe vetë Thaçi e ka nënshkruar lejen për vijim të seancës.
“Doktori e ka nënshkruar lejen për të vijuar me procesin gjyqësor. Nuk pata mundësi ta kontaktoja zotëri Thaçin gjatë këtij pushimi të shkurtër, por është dhënë leja përkatëse që të vijojmë me seancën e sotme”, theksoi Misetiq.
Seanca ku po dëshmon dëshmitari i radhës i Prokurorisë kundër ish-krerëve të UÇK-së me urdhër të trupit gjykues po vazhdon të mbahet private. Procesi gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit ka nisur në prill të vitit 2023 ndërkaq, ata po qëndrojnë në qendrën e paraburgimit prej nëntorit të vitit 2020. Ndaj tyre rëndojnë akuza për krime të pretenduara të luftës. Ish-krerët e UÇK-së janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës. (A2 Televizion)