Kosova “mban frymën”, forcat politike çelin fushatën për zgjedhjet e 9 shkurtit

Nga A2 CNN
11 Janar 2025, 19:12 | Politikë

Zyrtarisht Kosova nga sot ka hyrë në fushatën zgjedhore. Partitë atje do u drejtohen zgjedhësve me të gjithë arsenalin qoftë të premtimeve, qoftë të kritikave apo edhe me programe që në zgjedhjet e 9 shkurtit të kenë mundësi të marrin sa më shumë prej tyre.

Forcat politike kanë patur edhe tubimet hapëse të fushatës, duke nisur me Partinë Demokratike të Kosovës. Nga salla “1 Tetori” në Prishtinë, kryetari Memli Krasniqi e hapi fushatën duke përshëndetur dy liderët e UÇK-së dhe PDK-së, Hashim Thaçin e Kadri Veselin, si dhe Jakup Krasniqin e Rexhep Selimi dhe shokët e tyre që po zhvillojnë betejën e fundit në Hagë për drejtësinë e luftës çlirimtare të popullit tonë.

Kosova “mban frymën”, forcat politike çelin

“Sot qëndroj para jush për t’ju siguruar se ne ofrojmë një plan konkret, një program të detajuar dhe gjithëpërfshirës, realist dhe të realizueshëm, i cili do të përmirësojë cilësinë e jetës së qytetarëve tanë. Për ta bërë Kosovën ma të fortë! Për ta bërë Kosovën ma të mirë! Kjo është arsyeja pse zgjodhëm Bedri Hamzën që të na prijë në këto zgjedhje, sepse Kosovës i duhen aftësitë, përvoja dhe personaliteti i Bedriut për të materializuar planin tonë transformues”, theksoi Krasniqi.

Në vijim ai u kërkoi qytetarëve të Kosovës dhe diasporës së vendit votën për Bedri Hamzën kryeministrër.

Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza është zotuar për rritje të pagave dhe pensioneve, zhvillim ekonomik, siguri energjetike, sigurime shëndetësore, arsim cilësor, si dhe kultivimin e raporteve të mira me aleatëve.

“Kemi shumë shembuj të qytetarëve që e kanë vendosur Kosovën të parën. E kanë vendosur Kosovën edhe para vetes. Gjatë kësaj fushate, kam pasur nderin të takoj shumë heronj të përditshmërisë tonë. Kam takuar burra, që me duar të plasaritura sigurojnë bukën e përditshme. Nëna që me forcë të pashtershme i mbajnë familjet. Kam takuar të rinj të talentuar, gjithandej Kosovës, të cilët me energji të madhe punojnë për një të ardhme ma të mirë. Janë këta njerëz, forca e heshtur e Kosovës, ata që më inspirojnë. Ata më bindin se mund ta ndërtojmë një Kosovë, ku çdo sakrificë shpërblehet. Ky vizion për një Kosovë ma të mirë, ku secili qytetar përparon, nuk është një ëndërr. Është premtim. Një premtim për çdo familje, çdo të ri e të re, çdo të moshuar, që do të punoj pa u ndalur për t’ua përmirësuar mirëqenien në shtetin tonë. Po, Kosova mundet ma mirë”, tha Hamza.

Këto janë zgjedhjet e dyta që Memli Krasniqi i udhëheq si kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, pas zgjedhjeve lokale të vitit 2021, ku PDK fitoi në më së shumti komuna dhe ka numrin më të madh të asamblistëve.

Kosova “mban frymën”, forcat politike çelin

Ndërkohë, pak pas PDK, LDK e çeli fushatën po në kryeqytet, me kryetarin dhe njëherësh kandidatin për kryeministër, Lumir Abdixhiku, që u ndal të kritikonte qeverinë e Albin Kurtit për “premtime përrallore”.

Abdixhiku bëri thirrje për “ngritje të shpresës” mes popullit dhe kërkoi nga qytetarët të jenë gati për t’i sjellë Kosovës, ndryshimin.

“Fitorja e madhe tashmë ka nisur! Prandaj, ju them të bëheni gati! Ngriteni zërin, të përvilni mangët, ngrini shpresën për të nesërmen dhe rrugën plot dritë përpara! Ju erdhët. Ju dëgjuat. Shpërndajeni tani këtë lajm në çdo anë të Kosovës. Në çdo rrugë e rrugicë, në çdo lagje në çdo shtëpi, në çdo anë të Republikës. Sot nuk jam këtu të jap zotime të mëdha që s’bëhen kurrë. Në këtë projektim të së ardhmes dua të jem shumë i vërtetë me ju. Jo t’ju premtoj Bashkim Kombëtar e t’ju sjell autonomi. As të premtoj zhvillim përrallor e të përfundojë më një urë 2 metërshe. Jo të premtoj rend e drejtësi për të përfunduar në vjedhje e kapje”, tha kreu i LDK-së.

Ndërkohë partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje ndryshe nga dy partitë opozitare, e ka çelur fushatën në Gjakovë. Kryeministri Albin Kurti në fjalën e tij u ndal gjatë te raportet me Serbinë, duke u shprehur se për fqinjin verior qeveria e tij e ka “edhe ushtrinë, edhe policinë, edhe dialogun”.

Koalicioni jonë i thotë atij (Presidentit të Serbisë) ashtu siç është ministër i Millosheviçit aparati shtetëror i të cilit nuk do të ketë vend sepse do ta ndjekim këmbë më këmbë e cep më cep në Republikën e pavarur e progresiste të Kosovës”, tha Kurti. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos