Kryeministri Albin Kurti pati deklaruar se një nga tronditjet më të mëdha që kishte përjetuar kur kishte marrë detyrën ishte kur kishte mësuar se Forca e Sigurisë së Kosovës nuk mund të kalonte Ibrin dhe të shkonte në katër komunat veriore me shumicë serbe.
Në prill të vitit 2013, kryeministri i atëhershëm Hashim Thaçi, përmes një letre dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s së asaj kohe, Anders Rasmussen, kishte garantuar se FSK do të ndërmarrë mision në veri të Kosovës vetëm me pëlqimin paraprak të KFOR-it.
Së fundmi, gjatë një dalje publike, komandanti i KFOR-it, Enrico Barduani, tha se ka pranuar garanci edhe nga ministri aktual i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, që FSK nuk do të shkojë në veri.
Vetë ministri Maqedonci, në një përgjigje për A2 CNN, deklaroi se nuk bëhet fjalë për rizotim, pasi kjo marrëveshje është bërë në nivel më të lartë, por vetëm garanci për respektimin e letrës së vitit 2019: “Nuk bëhet fjalë për rizotim sepse zotimi i vitit 2013 është bërë në nivel Kryeministri dhe Sekretari të Përgjithshëm të NATO-s. Ne po vazhdojmë të respektojmë zotimin e vitit 2013 të ish-kryeministrit, pavarësisht se vlerësojmë që ai zotim ka qenë i gabuar dhe i dëmshëm për ushtrinë tonë. Respektimin e këtij zotimi e kam theksuar në të gjitha daljet e mia publike dhe nuk është asgjë e re”.
Megjithatë, letrën të cilën Maqedonci thotë se ia dërgoi komandantit të KFOR-it është bërë për të sqaruar angazhimin e një njësie të FSK-së në veri e cila kishte shkuar pa pëlqimin e KFOR-it.
“Qëllimi i letrës ka qenë që të sqarojë Komandantin e KFOR-it që një angazhim i një njësie të FSK në një ndër katër komunat në veri të Kosovës që ka ndodhur pak ditë para dërgimit të letrës nuk ka pas qëllim tensionimin e situatës. Në letër kam sqaruar rrethanat e angazhimit të njësisë së FSK-së dhe kam ritheksuar që insitucionet e Kosovës do të vazhdojnë të respektojnë zotimin e bërë më 19 prill 2013 për angazhimin e FSK në operacione në veri pas koordinimit paraprak me Komandantin e KFOR-it”, thotë Maqedonci.
Hera e fundit kur KFOR-it iu kërkua leje që FSK të shkojë në veri ishte data 29 nëntor e vitit të kaluar, pas shpërthimit në kanalin e Ibër Lepencit, por një gjë e tillë ishte refuzuar. KFOR kishte vlerësuar se është e aftë të mbajë situatën nën kontroll bashkë me Policinë e Kosovës, pa prezencën e Forcës së Sigurisë së Kosovës. (A2 Televizion)