Mision për zgjedhjet parlamentare, Presidentja dhe Kryeparlamentari: Kosova duhet të jetë në KiE

Nga Xhevahir Qardaku
17 Janar 2025, 19:59 | Politikë

Presidentja Vjosa Osmani priti në një takim një delegacion të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Misioni i tyre në Kosovë do të jetë për vëzhgimin e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 9 shkurtit.

Presidentja Osmani theksoi se zgjedhjet që do të mbahen me ligjin e ri do të përbëjnë një hap të rëndësishëm në përmirësimin e proceseve demokratike në vend. 

“Presidentja Osmani, ka potencuar se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, ndaj do të vazhdojë ta fuqizojë mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe fuqizimin e sundimit të ligjit”, thuhet në reagimin e Presidencës së Kosovës.

Delegacioni në fjalë është pritur edhe nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca. Në mesazhin e tij, kryeparlamentari thotë se në takim u diskutua për zgjedhjet e përgjithshme dhe aspirate për anëtarësim në struktura ndërkombëtare dhe europiane. 

“Kryekuvendari Konjufca ritheksoi se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, ashtu siç ka qenë dhe vijon të mbetet e angazhuar në ruajtjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të demokracisë në vendin tonë, për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe fuqizimin e sundimit të ligjit”, thuhet në reagimin e Kuvendit të Kosovës.

Misioni vëzhgues nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës është pritur në takim edhe nga kryeministri Albin Kurti.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos