Për pak javë bëhen një vit nga marrëveshja bazike e 27 shkurtit në Bruksel dhe aneksi i zbatimit, i njohur si Marrëveshja e Ohrit, por Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla e ka cilësuar si të dëmshme, dhe ka thënë se ajo se ishte pranuar për shkak të kërkesës së aleatëve. Ky deklarim shihet si naivitet politik nga ana e ministres për një marrëveshje të obligueshme për Kosovën.
“Vlerësimi nga pozicioni i ministres së Punëve të Jashtme të një dokumenti që për Republikën e Kosovës, sipas BE, është i obligueshëm pavarësisht vendosjes ose mos vendosjes së nënshkrimit, atëherë konsideroj që ky është naivitet politik në stilin e ministres Gërvalla”, tha Albinot Maloku, politolog.
Megjithatë, deklarata e Gërvalles konsiderohet edhe si lëvizje për të përfituar diçka më shumë nga një marrëveshje e negociuar në kohë tensionesh.
“Konsideroj që është më shumë një qëndrim strategjik i Qeverisë së Kosovës sesa realisht një raport real me marrëveshjen. Kjo marrëveshje ka ardhur në një situatë të tensionuar skajshmërisht dhe në kohën kur tensionet janë të larta mundësia për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme ose afatgjate janë realtivisht të ulëta”, tha Dorajet Imeri, profesor.
Megjithatë, njohësit e procesit bien dakord në një pikë, që Kosova nuk i shmanget dot obligimeve nga marrëveshjet dhe çdo vonesë në zbatim e pëson vet ajo.
“Në parim unë kosnideroj që Kosovës nuk i përshtatet zvarritja, por në të njëjtën kohë nuk i leverdis asnjë marrëveshje që nuk është përfundimtare. Serbia ka qenë e interesuar që të mos e përfundojë këtë proces sepse e zbeh në mënyrë të vazhdueshme projektin e quajtur Republika e Kosovës”, tha Imeri.
“Të gjitha vonesat që janë dhe që ndodhin në kuadër të jetësimit të pajtimit të ndodhur në Bruksel dhe në Ohër janë për konsum politik, qoftë në Serbi, qoftë në Kosovë, mirëpo faktori ndërkombëtar e posaçërisht SHBA-ja në çdo situatë po e rikujton obligimin të cilat rrjedhin nga pajtimi i ndodhur”, tha Maloku.
Marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i saj i zbatimit në Ohër rrodhën pas planit franko-gjerman në kuadër të procesit të normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. (A2 Televizion)