“Po ndot ajrin me stërvitjen ushtarake”, Kurti: Serbia po kërcënon sigurinë e Kosovës dhe Ballkanit

Nga Rosalba Bejdo
19 Prill 2024, 21:13 | Politikë

Një kërcënim për sigurinë e Kosovës dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor. Kështu i ka cilësuar kryeministri Albin Kurti stërvitjet ushtarake të Serbisë, “Vorbulla 2024”, në Peshter të Sanxhakut. Shefi i ekzekutivit të Kosovës akuzoi Beogradin si faktor kryesor të përpjekjeve për destabilizim të rajonit, dhe siç thotë, lëvizja e fundit e dëshmon diçka të tillë.

Sipas Kurtit stërvitjet po mbahen 30 km larg kufirit me Kosovën dhe 3 km larg Malit të Zi, ndërsa ironizoi se ato do të shkaktojnë ndotjen më të madhe të ajrit dhe tokës në Sanxhak.

“30 kilometra larg kufirit të Kosovës, në Peshter të Sanxhakut, është duke u zhvilluar dita, mbase kryesore, e ushtrimit të tyre ushtarak të quajtur “Vihor2024”. Ata sot do të bëjnë ushtrime me dronë luftarakë kamikazë dhe vendi ku do të bëhen këto ushtrime përveç se është 30 kilometra larg kufirit të Kosovës është vetëm 3 kilometra larg kufirit të Serbisë me Malin e Zi. Kjo është edhe një dëshmi se Serbia është autoriteti, instanca e faktori kryesor i përpjekjeve destabilizuese për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe paraqet kërcënim për republikën tonë të cilën ata nuk e njohin. Meqenëse jemi këtu me Ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, mund të themi se këto ushtrime paraqesin edhe ndotjen më të madhe të ajrit e të tokës në Sanxhak”, tha Kurti. Kryeministri theksoi se organet kosovare të sigurisë janë të pranishme dhe funksionale në veri.

Sa i përket pjesëmarrjes së shefit të KFOR, gjeneral majori Ozkan Ulutas në stërvitjen e ushtrisë serbe, zëdhënësi i misionit të NATO-s në Kosovë, tha se diçka e tillë reflekton raportin efektiv që KFOR-i dhe Forcat e Armatosura Serbe kanë zhvilluar përgjatë viteve”. Këtu përfshihen sipas tij, kontaktet rregullta që kanë me shefin e ushtrisë serbe, “por edhe përmes vëzhgimet që KFOR ka bërë në të kaluarën lidhur me stërvitjet e Forcave të Armatosura Serbe”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos