Seanca e Kuvendit të Kosovës u shoqërua me tensione pas publikimit të një audiopërgjimi tjetër ku shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila dëgjohet duke kërkuar vota nga Lista Serbe përmes Milan Radoiçiç për pagën minimale dhe një kandidat për gjyqtar në Kushtetuese.
Partia Demokratike e Kosovës kërkoi debat pasi, sipas tyre, është cenuar siguria kombëtare.
“Përmes këtij koordinimi këta dy persona kanë lënë jashtë pagës minimale, kategoritë më të ndjeshme në vendin tonë, veteranët e UÇK-së, invalidët e luftës dhe familjet e dëshmorëve”, tha Abelard Tahiri, shef i grupit të PDK, shkruan A2.
Kusari-Lila deklaroi se e gjitha çfarë është publikuar nuk është e vërtetë dhe për këtë ka bërë një kallëzim penal.
Megjithatë, pati një paralajmërim për opozitën. “Kjo çka ka dal dje është fabrikim i plotë. Imagjinoni kur të dalin fotot e përurimit të shtëpisë së Radoiçiqit. Imagjinoni kur të dalin dhuratat për fëmijët e Radoiçiqit nga zyrtarë dhe udhëheqës. Imagjinoni kur të dalin kush e ka vizituar dhe kush ka pasur biznese”, tha Kusari-Lila.
Ndërsa Kusari-Lila fliste, foltorja u rrethua me shirita të verdhë dhe deputetët opozitare nuk e lejonin të fliste përmes zhurmës dhe thirrjeve “spiune”.
Lidhja Demokratike e quajti të papranueshme koordinimin me Radoiçiçin duke kërkuar arsyen e vërtetë të bisedës.
“Është e kuptueshme që grupet politike në parlament duhet të komunikojnë mes vete, duhet të koordinohen mes vete, por jo të koordinohesh me kriminelë, por jo me dal të akuzosh tjetrin kur je vetë duke u koordinuar. Çfarë është kjo sjellje? Çfarë i shërben kjo sjellje qytetarëve të Kosovës?”, tha Arben Gashi, shef i grupit të LDK.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kërkoi transparencë se cilat janë kërkesat e Radoiçiçit në këmbim të këtyre votave.
“Përgjimet, i pari dhe i dyti, vërtetojnë se një marrëveshje e thellë dhe ne thelb kundër disa vleraveqë lidhen me të mirën publike dhe të qytetarëve ka ndodhur”, tha Besnik Tahiri, shef i grupit të AAK.
Fjalori në Kuvend sa erdhi duke u rënduar në drejtim Kusari-Lilës me kërkesa për t’ia marr edhe mandatin e deputetes, transmeton A2 CNN.
“Nuk kisha dashur për asnjë sekondë t’i takoj një grupi parlamentar si ky i Lëvizjes Vetëvendosje për të cilni kam thënë para dy viteve që janë pazaret e pista”, tha Bekim Haxhiu, deputet, PDK.
“Kjo është në gjendje të akuzojë edhe UÇK-në se kanë bashkëpunuar me Serbinë, kjo është logjika e saj që s’e meriton me qenë deputete, pasi e fëlliqë edhe mandatin e deputetit”,
“Mimoza Kusari, unë jam Time Kadrijaj edhe çka e mbaj me mburrje jam ushtare e lirisë. Ramush Haradinaj është gjeneral, familje emblematike e ti çka je Mimozë? Unë ty kam me të mbajt mend si ‘zemlakja’ e Radojiçiçit dhe si valltare e Gadafit”, tha Time Kadrijaj, deputete, AAK.
Ndaj të gjitha akuzave, Kusari-Lila iu përgjigj duke i bërë përgjegjës partitë opozitare se ishin ato që kishin negociuar në dëm të Kosovës.
“Tradhti kombëtare ka qenë me i marr votat me e themelu Gjykatën Speciale për të dënuar UÇK-në atje. Tradhti kombëtare është të diskutosh me Listën Serbe e me Beogradin shkëmbimin territorial me i marr tokë Kosovës për një marrëveshje paqesore”, tha Kusari Lila, shkruan A2.
Kërkesa e opozitës për debat nuk kaloi në Kuvend duke bërë që PDK, LDK e AAK të lëshojnë sallën dhe të pamundësohet vijimi i seancës në mungesë kuorumi. (A2 Televizion)