Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç, pritet të takohen nesër në Bruksel me ndërmjetësimin e të Dërguarit të Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak.
Lajçak në një postim në platformën “X”, ka bërë të ditur se në mesin e temave që do të diskutohen në takim është edhe rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës për pagesa me para të gatshme.
Në takimin e fundit që kryenegociatorët e të dyja vendeve zhvilluan nën kujdesin e Lajçakut në Bruksel mbi tensionet që u ndezën pas rregullores së Bankës Qendrore (BQK), nëpërmjet së cilës autoritetet kosovare synojnë të ndalojnë përdorimin e dinarit serb brenda territorit, palët u dakorduan që deri më 22 mars t’i çonin propozimet për zgjidhjen e krizës së dinarit.
Ky është takimi i dytë që u organizua nga BE-ja për çështjen e dinarit. Një raund i negociatave ndërmjet ekspertëve financiarë të Kosovës dhe Serbisë u zhvillua më 27 shkurt, por përfundoi pa rezultate konkrete. Kosova refuzoi që të përfaqësohet në nivel politik sepse konsideroi që dinari nuk duhet të jetë temë në procesin e dialogut.
Kurse sa u përket propozimeve rreth zgjidhjes së problemit, autoritetet tona përveçse hodhën poshtë propozimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nënvizuan se nuk shkojnë përtej asaj që tashmë është miratuar.
Kryeministri Albin Kurti, garantoi gjatë fundjavës, se nuk do të pranojë propozime që dalin jashtë kornizës rregulluese të BQK-së. (A2 Televizion)