Kosova, thirrje Britanisë. Kurti: Dërgoni ushtarë për të parandaluar luftën me Serbinë

Nga Xhevahir Qardaku
20 Mars 2024, 23:02 | Politikë

“Britania duhet të dërgojë më shumë trupa në Kosovë për të parandaluar luftën në Ballkanin Perëndimor”.

Është kjo thirrja e drejtpërdrejtë që vjen nga kryeministri Albin Kurti drejtuar Londrës zyrtare përmes një interviste në median “The Telegraph”. Shefi i qeverisë nënvizon se ka vetëm një prezencë simbolike të NATO-s në Kosovë, e cila nuk është mjaftueshëm për të frenuar një pushtim nga Serbia.

Deklarata vjen dhe si reagim ndaj kërcënimit të Presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, i cili sinjalizoi një lëvizje të mundshme për të nisur një luftë ndaj Kosovës, siç tha ai, “në momentin më të mirë të mundshëm”.

“Duhet të ketë më shumë trupa të NATO-s në Kosovë, sepse jemi të rrethuar nga 48 baza operative ushtarake që operojnë rreth e qark vendit tonë, në territorin e Serbisë. Secila prej tyre ka mbi nga 50 deri në 150 ushtarë. Besoj për aq kohë sa Serbia nuk e njeh Kosovën, përderisa Serbia mban 48 baza operative ushtarake rreth vendit tonë dhe për sa kohë Serbia është aleate e ngushtë e Kremlinit, duhet të ketë më shumë kapacitete nga ana jonë dhe më shumë trupa të NATO-s”, tha Kurti.

Kryeministri shpjegon për median britanike që Serbia në Ballkan luan rolin e një Rusie të vogël dhe Vuçiç i ngjan një mini Putini, kurse Milan Radojçiç, që udhëhoqi sulmin paramilitar në Banjskë, sillet si një Prigozhin i vogël: “Serbia po pret për një dritare mundësie për të na sulmuar ne”.

“The Telegraph” shkruan se Serbia tradicionalisht është një aleate e Rusisë dhe ka refuzuar të vendosë sanksione pas luftës së nisur në Ukrainë. Gjithashtu, nënvizon se NATO në Kosovë ka një kontigjent prej 4443 trupash. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos