SHBA i përgjigjet kërcënimeve të Vuçiçit: Kosovarët të flenë të qetë, NATO është aleanca më e suksesshme

Nga Rosalba Bejdo
20 Mars 2024, 20:50 | Politikë

Pas kërcënimit të Presidentit serb Aleksandër Vuçiç për pushtimin e Kosovës, SHBA nuk ngurron t’i japë garanci të forta sigurie Kosovës.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, u tha qytetarëve të mos shqetësohen, pasi misioni i NATO-s në Kosovë është i gatshëm të bëjë gjënë e duhur: “Mund të them që përkushtimi ynë ndaj sigurisë së Kosovës, garancitë e sigurisë që SHBA-ja ka ofruar, qëndrojnë të forta si kurrë më parë. Ne flemë të qetë sa i përket këtij kërcënimi. Mendojmë se NATO-ja është e përgatitur dhe e gatshme dhe se populli i Kosovës duhet të jetë i qetë, pasi aleanca ushtarake më e suksesshme në histori ka një prani të madhe këtu, që është e gatshme të bëjë gjënë e duhur”.

Duke pohuar se Kosova do të jetë një ditë anëtare e Aleancës së NATO-s, Hovenier sugjeroi se nuk ishte dakord me deklaratat e homologut të tij në Serbi, që tha se Beogradi ishte më pranë aleancës ushtarake se Prishtina: “Ne duam të shohim avancimin e Kosovës drejt NATO-s. Kosova përputhet mjaft mirë me Aleancën sa i përket vlerave dhe institucioneve, kështu që është mirë që shumë çështje të pazgjidhura të zgjidhen dhe një ditë ta shohim Kosovën si një anëtare të plotë të NATO-s. Ne jemi duke punuar drejt këtij qëllimi. Tani për tani, unë do t'i kundërshtoja ata që duan të bëjnë krahasime dhe kontraste se kush qëndron ku në raport me NATO-n”.

Deklarata e Hovenierit për gazetarët u bë pas një takimi që ai zhvilloi me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi. Një ditë pas raundit të bisedimeve në Bruksel, diplomati amerikan deklaroi se nuk kishte marrë ndonjë propozim për dinarin nga autoritetet në Prishtinë. 

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli