Departamenti Amerikan i Shtetit ka lëshuar një tjetër thirrje për Kosovën dhe Serbinë. Ashtu si emisari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, edhe zëdhënësi i DASH, Vedant Patel, kërkon një zgjidhje urgjente për çështjen e dinarit.
Gjatë një konference për shtyp, zyrtari përshëndeti takimin e kryenegeociatorëve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel për këtë temë, ndërsa dialogun e lehtësuar nga BE-ja, e konsideroi si “kanalin e duhur për zgjidhjen e këtyre çështjeve që lidhen me normalizimin e marrëdhënieve”.
“Ne besojmë se këto diskutime duhet të vazhdojnë me urgjencë. Dialogu i lehtësuar nga BE-ja është kanali i duhur për zgjidhjen e këtyre çështjeve që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ne kemi qenë gjithashtu të qartë në shprehjen e shqetësimeve tona se kjo rregullore e re që kufizon importin dhe përdorimin e dinarit serb në Kosovë – ne kemi shprehur disa shqetësime për këtë dhe gjithashtu kemi përsëritur thirrjet tona si Kosovës ashtu edhe Serbisë për përshkallëzimin e tensioneve.”, tha Vedant Patel, zëdhënës i Departamentit të Shtetit.
Sa i përket deklaratës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, se autoritetet janë afër një marrëveshje për propozimin amerikan për përdorimin e euros si monedhë për pagesat nga shteti serb për serbët e Kosovës, zëdhënësi tha se do të konsultohet më gjerësisht me ekipin e Departamentit të Shtetit dhe do të dalë me një përgjigje.
Ky reagim vjen pas vizitës zyrtare të emisarit Escobar në Kosovë ku lëshoi kritika të ashpëra në drejtim të kryeministrit Albin Kurti. Zyrtari i DASH u shpreh i shqetësuar për jetët e serbëve të Kosovës, duke vlerësuar se vendimi për dinarin ka çuar në një krizë humanitare, e cila duhet zgjidhur urgjentisht. Për këtë, ka lënë në Prishtinë disa propozime amerikane. (A2 Televizion)