Presidentja Vjosa Osmani reagoi ashpër ndaj ambasadorit amerikan në Beograd, Christopher Hill, që deklaroi se Serbia është më afër anëtarësimit në NATO sesa Kosova. Në një intervistë për Radio Televizionin e Serbisë, Hill u shpreh se ushtria serbe po kryen më shumë trajnime me ushtrinë amerikane sesa më parë.
“Nëse shikoni se kush është partner i NATO-s, Serbia është shumë më afër NATO-s sesa Kosova. Për momentin, po. Kjo është shumë e vërtetë tani. Ne punojmë me ushtrinë serbe çdo ditë, kemi pasur stërvitje, trajnime, një numër aktivitetesh me ushtrinë serbe”, tha Hill.
Për Osmanin, Serbia gjithnjë ka shfaqur vlera të kundërta me të Aleancës dhe se është i vetmi shtet në Ballkanin Perëndimor që nuk dëshiron anëtarësimin në organizatën më të madhe të sigurisë: “Ekziston vetëm një shtet që është më larg NATO-s sesa Serbia dhe ajo është Rusia e Putinit. Një shtet si Serbia, i cili vazhdimisht ka shkelur vlerat kryesore që qëndron NATO, pra mbrojtjen nga forcat autoritare, mbrojtjen nga shtetet që shkelin rregullat bazike të së drejtës ndërkombëtare, siç është Serbia, lëre që është larg NATO-s, por as nuk mund të ëndërrojë të jetë pjesë e NATO-s”.
Osmani shkoi edhe më tej kur tha se Hill ofendoi edhe viktimat e regjimit të Millosheviçit si dhe shtetet demokratike që angazhohen për anëtarësim në NATO: “Kushdo që e konsideron Serbinë si një shtet që është afër NATO-s, nuk e ofendon vetëm çdo shtet demokratik që po bën hapa konkret drejt anëtarësimit në NATO, por njëkohësisht është duke i ofenduar viktimat e Serbisë së Millosheviçit e cila është njëjtë sot sikurse ka qenë para disa dekadave”.
Ndryshe nga Kosova, Serbia bën pjesë në Programin e Partneritetit për Paqe si dhe është anëtare e Këshillit të Bashkëpunimit Euroatlantik që si qëllim bashkëpunimin politik mes shteteve anëtare të NATO-s dhe shteteve të Partneritetit.
(A2 Televizion)