Zonja Schneeberger, faleminderit qe jeni me ne.
Është një kënaqësi. Faleminderit për ftesën.
Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, ka paralajmëruar Perëndimin të zgjedhë mes Kosovës dhe Serbisë dhe ka sugjeruar se vendi i tij mund të sulmojë Kosovën. Cili është komenti juaj mbi këtë deklaratë dhe mendoni se skenari mund të përmbushet?
Ky koment është një çmenduri. Është shumë i rrezikshem për situatën. Duhet ta marrim shumë seriozisht deklaratën e Vuçiçit. Politika e vazhdueshme e përkëdheljes po e inkurajon atë të shkojë larg e më larg dhe deklaratat e Vuçiçit po bëhen më të qarta. Gjithçka që ka bërë deri tani ka qenë pa pasoja dhe kjo po e inkurajon të ndërmarrë hapa të mëtejshëm. Më në fund duhet t'i japim fund kësaj spiraleje përshkallëzimi. Përshkallëzimi është gjithashtu në interes të Putinit, veçanërisht para zgjedhjeve evropiane.
Mendoni se mund të ketë një përsëritje të sulmit të Banjskës në Kosovë?
Kjo do të varet nga mbështetja që Kosova do të sigurojë nga SHBA dhe BE.
Së fundmi, Milan Radojçiç, njeriu i akuzuar për sulmin e Banjskës, dhe Marko Gjuriç, ambasador i Serbisë në SHBA, u fotografuan së bashku në një restorant. Beogradi refuzon të japë detaje mbi takimin dhe është e qartë se po e mbron. Çfarë kuptojmë nga kjo? Di që ju e keni komentuar…
Po. Është e pabesueshme. Radojçiç, i kërkuar nga Interpoli, po takohet në publik me përfaqësues të qeverisë. Komisioni Europian jo vetëm që nuk komenton lidhur me këtë, por kërkon më shumë prova për Banjskën. Por, të dhënat e publikuara ofrojnë një panoramë të qartë. Vuçiç po na bën për budallenj dhe BE po e toleron këtë. Kjo është e rrezikshme për të gjithë ne. Tregon se autokratët mund të bëjnë gjithçka që duan pa pasoja. Me këtë sjellje ushqejmë autokratët. Ne po cenojmë reputacionin e institucioneve tona. Kjo është pikërisht ajo që kërkon dhe dëshiron të arrijë Putini, përmes Vuçiçit. Kjo tregon se sa naivë jemi akoma, ose se si ka depërtuar ndikimi i Putinit në rangjet më të larta të BE-së.
Ka raportime se një kompani e kontrolluar nga Radojçiç siguroi dy tendera me vlerë 8,5 milionë euro nga shteti serb, pak ditë pas sulmit të Banjsksës. Mendoni se dy ngjarjet kanë lidhje?
Nëse sheh se si funksionojnë Putin dhe Vuçiç, nuk beson më në rastësi. Ka shumë dëshmi të publikuara se si paratë për projekte te ndryshme kanë përfunduar në xhepat e Radojçiçit në vend të realizimit të këtyre projekteve. Është e vështirë të besohet se këto fonde ishin të destinuara për realizimin e një projekti real teksa janë lëvruar vetëm pak ditë pas sulmit të Banjskës ndaj një kompanie të kontrolluar nga njeriu që kishte marrë përsipër përgjegjësinë për këtë akt.
Sipas jush, përse BE po heziton të dënojë Serbinë për Banjskën dhe për mbrojtjen e një krimineli që duhet të jetë në burg?
Motivi i saktë dihet vetëm nga personat e përfshirë, por supozohet se pas një qasje të tillë qëndrojnë interesa ekonomike, veçanërisht në fushën e burimeve që nevojiten për tranzicionin e energjisë. Të tjerë thonë se BE-ja po përpiqet të shmangë humbjen e Serbisë ndaj Rusisë. Por, të lutem, hapi sytë. Serbia nuk mund të lidhet më ngushtë me Rusinë se sa është tani. Politika e përkëdheljes e ka shtyrë Vuçiçin më pranë Putinit në vend që ta largojë prej tij. Pastaj, ka zëra të shumtë që raportojnë për përfaqësuesit e BE-së mbi situatën e supozuar në veri që prezantohen si kundërshtarë të Vuçiç, por që në të vërtëtë përhapin narrativën e tij. Dhe asnjë nga përfaqësuesit e BE-së nuk bën përpjekje për të folur me njerëzit e zakonshëm në terren. Nëse do ta bënin, do të merrnin një pamje krejt tjetër dhe do ta kuptonin se vendime miqësore të Vuçiçit nuk korrespondojnë me dëshirat e serbëve në veri të Kosovës.
Në Kosovë, perceptimi se Brukseli është i pabalancuar në qasjen ndaj Prishtinës dhe Beogradit është gjithmonë e më i fuqishëm. A jeni dakord me këtë? Dhe nëse po, cilat janë hapat që duhet të ndërmarrë BE për të treguar të kundërtën?
Po, jam dakord me këtë. BE-ja ka një qasje shumë të njëanshme në favor të Vuçiçit. Por, mbështetja e tij është një gabim i madh. Le të kujtojmë se ku na ka çuar qëndrimi i butë ndaj Putinit. Kështu që, BE duhet të ndryshojë qasjen menjëherë. Së pari, procesi i integrimit duhet të shkëputet. Kosova dhe Serbia duhet të ndjekin rrugën e tyre drejt BE-së. Një vend nuk duhet të varet nga vullneti i të tjerëve. Por, kjo është ajo që kemi për momentin. Vuçiç po bllokon Kosovën. Mund të shohim se si popullata, ashtu edhe qeveria në Serbi, kanë pak interes për t'u anëtarësuar në BE. Marrëveshjet bazë si demokracia dhe shteti i së drejtës po minohen në vend që të forcohen. Në të kundërt, shohim përpjekjet e Republikës së Kosovës, e cila ka përmirësuar pozitën e saj në shumë aspekte. Ne duhet t'i mbështesim dhe vlerësojmë këto përpjekje dhe jo t'i ndëshkojmë. Ne duhet të kërkojmë më shumë përparim nga Vuçiç në vend që të heshtin për hapat prapa të Serbisë dhe sulmet e saj kundër Kosovës.
Tensionet lidhur me dinarin e kanë devijuar fokusin ndërkombëtar nga sulmi i Banjksës dhe Serbia duket të jetë sërish viktima. A mendoni se është e drejtë që një akt agresioni të eklipsohet nga një çështje që, sipas Kosovës, është teknike?
I njohim taktika të tilla politike. Nëse serbët kritikohen prodhojnë një çështje ku mund të luajnë viktimën. Por, nuk e kuptoj pse lejohet që të ndodhë kjo. Përsëri dhe përsëri. Po fokusohemi te një problem që as që ekziston. A përbën problem në Austri nëse serbët i marrin paratë e tyre nga Serbia në euro? Jo. Por, ata jo vetëm që po e largojnë vëmendjen nga Banjska, por na bëjnë të harrojmë se vendimi për dinarin në radhë të parë e bën biznesin e paligjshëm dhe krimin më të vështirë.
Zonja Schneeberger, faleminderit shumë që ndatë me ne opinionin tuaj. (A2 Televizion)