Votimi jashtë Kosovës, ambasadorët si menaxherë të qendrave të votimit

Nga Ideal Gola
21 Janar 2025, 19:51 | Politikë

Votimi jashtë Kosovës, ambasadorët si menaxherë të

Partia Demokratike ka kërkuar që ambasadorët dhe konsujt e Republikës së Kosovës të mos jenë edhe menaxherë të qendrave të votimit më 8 shkurt kur do të votohet fizikisht në hapësirave e ambasadave dhe konsullatat jashtë vendit.

Gjatë mbledhjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, u tha se ambasadorët dhe konsujt janë pjesë e politikës dhe nuk duhet të jenë pjesë e procesit zgjedhor.

“Do të ishte mirë që dikush nga kontigjenti i atyre që janë propozuar si diplomatë, jo konsujt dhe ambasadorët, dikush prej tyre të jetë edhe menaxher i asaj dite në ditën e zgjedhjeve kur mbahen”, deklaroi anëtari i KQZ nga PDK, Ilir Gashi.

Lidhja Demokratike u pajtua se në mesin e ambasadorëve dhe konsujve ka të emëruar politike dhe si menaxherë të qendrës kanë qasje në hapësirat ku do të ruhen votat.

“Te pjesa e notës verbale dhe te dhoma e sigurisë aksesin e kanë këta njerëz, nuk e ka tjetër kush, është një problem, te një notë verbale apo shirit diplomatik nënshkruan dhe jep, ai është personi, edhe të dhomës së sigurisë ai e ka çelësin dhe e mban”, u shpreh anëtari i KQZ nga LDK Sami Hamiti.

Lëvizja Vetëvendosje tha se miratimi duhet të bëhet sa më shpejtë për arsye të trajnimeve. Ndërsa në lidhje me shqetësimet e PDK dhe LDK u kujtoi se menaxherë të qendrave të votimit në Kosovë janë drejtorët e shkollave të cilët emërohet nga komunat që këto dy parti kanë më së shumti.

“Drejtorët e shkollave në mbi 800 qendra të votimit dhe për mënyrën se si zgjidhen nënshkruajnë kontratë me kryetarin e komunës, të ndjekim këtë logjikë mund të vazhdojmë pafundësisht dhe si numër kemi më shumë qendra votimi të tilla se që kemi jashtë, por është edhe mënyra si janë të rregulluara përfaqësitë diplomatike dhe ambasadat dhe na nuk mund të anashkalojmë një rregull që ekziston”, tha anëtari i KQZ nga LVV Alban Krasniqi.

Pavarësisht abstenimit të PDK-së, në fund KQZ me shumicë votash mori vendim që ambasadorët dhe konsujt të jenë menaxherë të qendrave të votimit.

Procesi zgjedhor jashtë vendit do të organizohet në 17 ambasada dhe 15 konsullata të Republikës së Kosovës që janë të vendosura në 19 shtete të ndryshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos