
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka përditësuar të dhënat e fundit sa i përket pjesëmarrjes së qytetarëve në zgjedhje.
Nga të dhënat e fundit, KQZ bën të ditur se deri në orën 17:00, kanë votuar rreth 27,87% ose 546,185 e qytetarë, shkruan A2.
Pak më herët, kryeministri në detyrë Albin Kurti u ka bërë thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë të drejtën e votës, duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes në zgjedhje për zhvillimin dhe stabilitetin e vendit.
Në një mesazh nga rrjetet sociale, Kurti theksoi se kanë mbetur edhe pak orë deri në mbylljen e vendvotimeve dhe se çdo votë është e rëndësishme për të ardhmen e shtetit, shkruan A2.
“Të dashur qytetarë, kanë mbetur më pak se 3 orë kohë për të votuar. Të gjithë ju që ende nuk keni votuar, ju lutem ta bëni një gjë të tillë. Për pak minuta vendosim për zhvillim, siguri dhe stabilitet për vendin tonë”, u shpreh Kurti në video-mesazh.
“Ju që tashmë keni votuar, ftoni miqtë, farefisin e dashamirët të shkojnë për të votuar. Sa më e gjerë vendimmarrja aq më e fortë demokracia dhe Republika jonë. Dil dhe voto! Pak kohë ka mbetur. Mos e le për në fund”, shtoi Kurti. (A2 Televizion)