Kosova voton sërish, por qytetarët shprehin pakënaqësi me zgjatjen e mosmarrëveshjeve politike. Teksa u pyetën nga gazetarja A2 CNN Rosalba Bejdo, në lidhje me pritshmëritë që kanë nga këto zgjedhje, njëzëri, qytetarët kërkuan që politika të gjejë gjuhën e përbashkët.
Për herë të tretë në më pak se një vit e gjysmë qytetarët e Kosovës rikthehen në kutitë e votimit. Nuk janë përballë vetëm partitë politike tradicionale, por dhe dy figurat që dikur ishin simbol i reformave dhe i luftës kundër korrupsionit, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani.
Pas zgjedhjeve të përsëritura dhe bllokadave institucionale qytetarët janë të lodhur dhe shpresa për zgjidhje të ngërçit është zbehur. Ata i thanë Rosalba Bejdos së A2CNN se urojnë që liderët politikë t’i thërrasin mendjes.
Disa prej tyre pohojnë se partia fituese ka përgjegjësinë për të zgjidhur ngërçin institucional, ndërsa të tjerë janë gati për votim se ‘’për vendin duhet bërë gjithçka’’, thonë ata. Urojnë fitoren e më të mirit, por gjithmonë duke shpresuar se të paktën këtë herë partitë kryesore do të merren vesh për zgjidhje.
Qytetarët ndajnë të njëjtin shqetësim: nevojën që Kosova të dalë nga cikli i zgjedhjeve të përsëritura.
Këtë 7 qershor topi është në fushën e votuesve mbetet për t’u parë se sa i qartë do të jetë mesazhi që po çojnë në kutitë e votimit dhe se sa do të dëgjohet ai nga fituesit edhe humbësit që kanë përgjegjësinë e ndërtimit të institucioneve sipas hapësirave që Kushtetuta ju dikton. (A2 Televizion)