Premtimet e AAK, Ramush Haradinaj: Pensionet dhe paga minimale 500 euro

Nga A2 CNN
9 Shkurt 2025, 10:39 | Kosova

Premtimet e AAK, Ramush Haradinaj: Pensionet dhe paga minimale 500 euro

Ramush Haradinaj është sërish kandidat për kryeministër. Kësaj radhe partia e tij Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës hyri në koalicion me Nismën e Fatmir Limajt si dhe disa organizata politike më të vogla e cila u quajt “Për Kosovën Fituese”.

Ky koalicion konsideron anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe Bashkimin Europian si një përparësi strategjike dhe një hap thelbësor drejt forcimit të sigurisë kombëtare dhe stabilitetit ekonomik.

Plani i veprimit për anëtarësim në këto dy organizata është i ndërtuar mbi tre shtylla, politik, ushtarak dhe ekonomik.

Në rrafshin politik, parashihet forcimi i marrëdhënieve me institucionet euroatlantike, përmbushjen e obligimeve në dialog me Serbinë, konsolidimi i demokracisë në Kosovë dhe përmirësimin e marrëdhënieve me fqinjët. 

Në rrafshin ushtarak parashihet ngritja e kapaciteteve luftarake të Ushtrisë së Kosovës, zhvillimi i industrisë mbrojtëse, prodhimi i municioneve dhe pajisjeve të tjera ushtarake dhe përmirësimi i infrastrukturës ushtarake dhe të mbrojtjes civile.

Ndërsa në aspektin ekonomik parashihet aktivizimi i resurseve të Kosovës për partneritet ekonomik me vendet e Aleancës.

“Duam të rrisim investimet në mbrojtje dhe duam të sigurojmë përjetësisht Kosovën . Nuk duam të bëjmë lojëra me sigurinë nacionale pas shpinës së aleatëve tanë e në interes të Rusisë dhe Serbisë.”

Përmes politikave ekonomike e fiskale, koalicioni i udhëhequr nga AAK premton se do të plotësohet vakumi që po krijon tkurrjen e disa sektorëve të ekonomisë, ndërsa përmes lehtësirave fiskale të mirëmbahet likuiditeti i ndërmarrjeve dhe të krijohen kushte më të favorshme për bizneset që të rriten dhe të zhvillohen.

“Duam siguri ekonomike, i duam bizneset e Kosovës të fuqishme, të suksesshme, i duam si investitorë të brendshëm, i duam si partnerë të investitorëve të jashtëm, i duam si vlerë e shtuar, i duam si partnerë për projekte publiko-private, duam zona biznesore në çdo komunë, në çdo vend në Kosovë duam zonë biznesore, duam zonë biznesore amerikane në Gjakovë.”

Zhvillimi i mëtejshëm i infrastrukturës rrugore përmes finalizimit të projekteve të filluara dhe realizimit të projekteve të reja është një tjetër premtim i Haradinajt që sipas tij do të kontribuojë në rritjen ekonomike dhe zhvillimin shoqëror e ekonomik. 

 “Duam Aeroportin e Gjakovës si aeroport të dytë, duam hekurudhën për Durrës, duam investime në Trepçë dhe jo të lihen minatorët pa paga, duam të përfundojmë të gjitha projektet që janë ndal, autostradën për Gjilan, autostradën për Mitrovicë, për Podujevë, duam ta lidhim Gjakovën me autostradë, duam ta lidhim Pejën me autostradë. Duam autostradën e Dukagjinit që lidh Prizrenin, Rahovecin, Gjakovën, Deçanin, Pejën, Istogun, Skenderajan dhe e lidh Mitrovicën.”

Rritjet e pagave e pensioneve gjithashtu parashihen në program, ndërsa janë planifikuar subvencione për familjet në nevojë, për fëmijë e të rritur deri në vlera mbi 1500 euro.

“Nuk duam paga nën 1000 euro në sektor publik, nuk duam më. Nuk duam pagë minimale nën 500 euro dhe nuk duam më pension 500 euro.”

Në arsimi parashihen një sërë reformash për ta ngritur në nivel të konkurrueshëm me vendet perëndimore. Kjo fillon duke e rritur buxhetin për arsim në 6% tëGDP-së dhe përmirësim të infrastrukturës arsimore.

Reforma të thella paralajmërohen edhe në shëndetësi me krijimin e strategjisë për të tre nivelet: primar, sekondar dhe terciar.

“Ne e duam dinjitetin, integritetin e mjekut e të infermierit, e duam shëndetin e pacientit, qytetarin tonë e duam të shëndetshëm, të sigurt, duam sigurime shëndetësore.”

AAK dhe Nisma premtojnë edhe ndërtimin e Termocentralit të ri me kapacitet prodhues deri në 500MW për stabilitet energjetik si dhe ndërtimin e rrjetit të gazit.

Ndërsa për fatura zotohet për uljen e TVSH-së së energjisë elektrike në nivelin 6% për përdoruesit familjarë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos