Thirrjet për të forcuar lidhjet Kosovë - Shqipëri, dominuan aktivitetin e organizuar nga ambasada e Shqipërisë në Prishtine në nder të 111-vjetorit të pavarësisë.
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, deklaroi se historia e pavarësisë nuk është e plotë pa pranuar kontributin dhe sakrificat e shqiptarëve të Kosovës për çështjen kombëtare.
“Ndërsa shikojmë nga e ardhmja, le ta ndërtojmë atë mbi trashëgiminë e të parëve tanë, le të vazhdojmë të forcojmë lidhjet mes Shqipërisë dhe Kosovës si dy shtete vëllezër tashmë me orientime të qarta euroatlantike në koordinim me aleatët tanë duke nxitur bashkëpunimin gjithëpërfshirës në arsim, në kulturë, në ekonomi, në qeverisje.”, tha Petrit Malaj, ambasadori Shqipërisë në Kosovë.
Presidentja Vjosa Osmani u shpreh se Shqipëria është shndërruar në shtet modern ndërsa si anëtare e NATO-s po kontribuon në paqen dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.
“Dy vendet tona, Republika e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë sot zhvillohen krahas njëra-tjetrës duke shkëmbyer përvoja, dije, njohuri e duke mbështetur njëra-tjetrën. Kemi synime të njëjta, integrimin në Bashkimin Evropian e konsolidimin e mëtejmë të shteteve tona. Kosova dhe Shqipëria janë pjesë e një rrugëtimi të përbashkët drejt integrimit euroatlantik. Ne ndajmë një dëshirë të fortë e të përbashkët për ta ndihmuar njëra-tjetrën për të arritur synimet tona dhe për ta bërë këtë rajon një vend më të mirë për të gjithë.”, u shpreh Presidentja Vjosa Osmani.
Kryeministri Albin Kurti duke kujtuar masakrat serbe ndaj shqiptarëve dhe vështirësitë deri në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, tha se gjeopolitika ka mbetur e njëjtë sikurse 111 vite më parë por shqiptarët sot janë më të fuqishëm.
“Krahasuar me 28 Nëntorin e shekullit të shkuar, gjeopolitika ka mbetur pothuajse e njëjta, por ne jemi shumë më të fuqishëm. Le të urojmë më së pari në këtë 111 vjetor fuqinë tonë në këtë datë të lartë të kombit shqiptar. Le të punojmë e fitojmë e festojmë bashkë, në çdo fushë e vend, tërë kohën pa ia nda.”, u shpreh Kryeministri Albin Kurti.
Të pranishëm në këtë ceremoni në Prishtinë morën pjesë edhe përfaqësuesit e të gjitha partive politike, trupa diplomatike të akredituar në Kosovë dhe personalitete të tjera të fushave të ndryshme. (A2 Televizion)