Në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, pa marrë parasysh zhvillimet pas 24 shtatorit, kryeministri Edi Rama ia njeh meritat edhe Shqipërisë dhe për këtë thotë se ndihet shumë krenar.
Në një kohë kur në Kuvend, nuk u arrit zhvillimi i një seance normale, kreu i qeverisë zgjodhi që të mos komentojë këtë zhvillim nga vendi, por të flasë për politikën e rajonit dhe asaj se çfarë po ndodh mes Prishtinës zyrtare dhe Beogradit. Rama thotë se e mbështet shumë fort Kosovën dhe se këto do e tregojë personalisht në një vizitë zyrtare në Prishtinë. Ai preferoi që të mos japë një datë konkrete, por tha se kjo do të ndodhë “shumë shpejt”.
"Nuk mund të jem dot më krenar se kaq për kontributin e fortë dhe konkret të Shqipërisë në vazhdimësinë e procesit të vështirë të normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës & Serbisë. Megjithatë, projektstatuti i AKSHM-së, që Kosova dhe Serbia kanë pranuar si dokument të përshtatshëm pune, është draft i BE-së.
Shqipëria mbështet fuqimisht Kosovën për zbatimin e Marrëveshjes Bazë dhe do të vazhdojë të luajë rolin e saj për të nxitur paqen, stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal midis të gjitha vendeve të rajonit tonë. Së shpejti, do të jem në Prishtinë për të treguar personalisht mbështetjen time", shkruan Rama.
Më herët, ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, bëri me dije se palët ishin të gatshme për të zbatuar marrëveshjen e arritur për normalizim të raporteve, në takimin e 26 tetorit në Bruksel, por sipas tij, nuk ranë dakord për modalitetet.
Nga ana tjetër, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha për një televizion vendas se ua kishte bërë të qartë përfaqësuesve ndërkombëtarë se nuk do ta zbatojë asnjë pikë të marrëveshjes që ka të bëjë me njohjen e Kosovës apo anëtarësimin e saj në OKB. (A2 Televizion)