Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha sot se Serbia është në rrugën evropiane dhe se mund të përmbushë pothuajse të gjitha kriteret deri në vitin 2027, pavarësisht nëse deri atëherë do të bëhet anëtare e unionit ose jo.
Komentet Vuçiç i bëri pas takimit me shefin e Delegacionit të BE-së në Serbi, Emanuele Giofre, i cili i dorëzoi Raportin Vjetor të KE-së për Serbinë për vitin 2024.
“Ne jemi në rrugën evropiane dhe BE-ja është partneri ynë më i madh në tregtinë e jashtme dhe i kemi vënë vetes synim që të përmbushim të gjitha detyrimet përmes Agjendës së Rritjes dhe Agjendës së Reformës deri në vitin 2027, pavarësisht nëse do të jemi anëtarë apo jo. Unë nuk premtoj se do të jemi anëtarë, nuk mundem, askush nuk mund t'ju premtojë, por se mund t'i përmbushim pothuajse të gjitha këto kritere, mundemi”, tha Vuçiç në konferencën për media, shkruan A2 CNN.
Ai theksoi se është gjithashtu e rëndësishme që në Serbi të flasin në mënyrë më objektive për çështjen e BE-së.
“Kjo nuk ka të bëjë me Kosovën dhe nuk ka të bëjë me politikën e jashtme, por fajin e ka gjithmonë BE-ja”, shtoi Vuçiç. (A2 Televizion)