Dy valë sulmesh me dronë dhe raketa Kalibr u lëshuan drejt qendrës së Odesës gjatë natës, por ato u parandaluan nga sistemet e mbrojtjes ajrore të Kievit. Këtë e bëri të ditur ushtria e Kievit, që njoftoi se armiku kishte sulmuar rajonin me një total prej 15 dronësh dhe 8 raketash. Siç bëhet e ditur, një konvikt qe përdorej nga njësitë ushtarake e po ashtu një dyqan u dëmtuan si pasojë e mbetjeve që rezultuan nga shkatërrimi i raketave dhe dronëve. Tre punonjës të një supermarket mbetën të plagosur sipas informacioneve paraprake.
Vala tronditëse shkaktoi gjithashtu dëme në dritare, ballkonët e disa ndërtesave dhe po ashtu automjete të parkuara në zonë ndërsa shpërthyen dy zjarre.
“Një tjetër sulm terrorist në Odesa. Mund të shihni se çfarë ka bërë armiku. Bashkë me shërbimet e emergjencës dhe ato komunale po punojmë për tu marrë me dëmet e për të qetësuar banorët”, tha kryebashkiaku i Odesës.
Video dhe foto të postuara nga ushtria në telegram, tregojnë zjarrfikësit teksa përpiqen të shuajnë flaket e shpërthyera në atë që duket të jetë një dyqan. Intensiteti i sulmeve në detin e zi është rritur ndjeshëm nga të dyja palët, gjatë javëve të fundit. Ushtria ruse godet vazhdimisht qytetin port të Odesës, por edhe portet në Danub të Izmail dhe Reni me qëllim të pengimit të eksporteve.
Sakaq, 7 persona u konfirmuan të vrarë përfshirë një bebe 23 ditëshe, gjatë bombardimeve ruse në rajonin jugor të Kherson ditën e diel.
“Sot, pushtuesit rusë goditën brutalisht rajonin e Kherson. Ata shënjestruan fshatin e Shirokа Balka me zjarr artilerie. 5 persona u vranë, mes të cilëve një familje e tërë… Vogëlushja, vetëm 22 ditëshe, vëllai i saj 12-vjeçar, nëna e fëmijëve Olesia, 39 vjeç dhe babai”, u shpreh Zelensky.
Mes sulmeve brutale të Moskës, që nuk po kursejnë civilët, forcat e Kievit njoftojnë se po avancojnë në jug, duke pretenduar sukses pranë një fshati kyç në rajonin jugor të Zhaporizhias e duke rimarrë territore të papërcaktuara. (A2 Televizion)