
Kryeministri Edi Rama ka qenë ditën e djeshme në Shpirag, zonën naftëmbajtëse më të rëndësishme në Shqipëri, ku mësohet se pas gërmimeve në 6002 metra në thellësi të tokës, është prekur një rezervë e madhe gazi e nafte e cilësisë më të lartë. Testi përfundimtar pritet të realizohet në fund të vitit, e ndërsa për kreun e qeverisë nëse gjithçka rezulton e suksesshme, atëherë do të shënohet një pikë kthese për jetën ekonomike të vendit.
“E dimë që nafta është aty, por duhet të sigurojmë rrjedhën e vet. Ajo çfarë kemi bërë, është që kemi parë vende të ndryshme në Shqipëri për të përdorur dhe ekspertizën tonë ndërkombëtare, për të parë se ku qëndron nafta, si do të sigurohet fluksi.” – shpjegoi ndër të tjera menaxheri zhvillimor në terren, teksa theksoi se kompania po përdor teknologjinë më të mirë ekzistuese dhe disa nga njerëzit më të kualifikuar të industrisë. “Kjo është salla e kontrollit. Ky vend, kjo kullë ku po punojnë njerëzit tani është diçka e re, është diçka, e cila po përdoret në Shqipëri, që merr pjesë të naftës dhe i shndërron në gaz. Kjo është një teknikë e ndërtuar në Zvicër, për herë të parë po provohet në Shqipëri.” – u shpreh ai.
Aktualisht aktiviteti i punës në kantier është përqendruar në vlerësimin e pusit Shpirag 5, si pjesë e Programit Vlerësues të Bllokut 2/3.
(A2 Televizion)