Rama shpërfill protestën e opozitës, poston foto nga tuneli i Llogarasë

Nga A2 CNN
12 Nëntor 2022, 19:37 | Politikë

Kryeministri Edi Rama zgjodhi që postimin e parë në rrjetet sociale pas protestës së opozitës ta bëjë për një çështje krejt tjetër.

“Tuneli i Llogarasë ku tanimë janë hapur 4,5 nga 6 kilometrat e projektit që do ta afrojë bregun e Jonit me aeroportin ndërkombëtar të Vlorës dhe rrisë ndjeshëm kuotat e industrisë shqiptare të turizmit”, shkroi Rama në Facebook.

Kryeministri mbërriti në Shqipëri vetëm pasi protesta kishte përfunduar, pasi ishte në Paris ku mori pjesë në Samitin e Paqes një ditë më parë. Nga socialistët, i vetmi që ka komentuar mbi protestën ishte kreu i grupit parlamentar, Taulant Balla, i cili quajti Sali Berishën dhe Ilir Metën si të dëshpëruar.

“Aleanca e Rublave është përditë e më e lexueshme, çdo ditë e më e tërbuar, prej sonte edhe më e dëshpëruar! Rublat vazhdojnë të financojnë aleancën, njëlloj si në 2011 kur dhanë votën kundër Kosovës, e vetë Shqipërisë dhe pro Rezolutës famëkeqe të shkruar në Kremlin, që lemerisi botën me gjoja trajtime çnjerëzore dhe trafiqe organesh nga UÇK! Opozita e rublave është e zhytur thellë në thesin e parave ruse. Porosia për sot nga Moska ishte që të mos kishte asnjë fjalë apo zë kundër agresionit rus në Ukrainë. Dhe bedelat e Putinit në Tiranë e zbatuan. Turp!”, tha Balla përmes një postimi në Facebook. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos