
Agron Duka, Kryetar i Partisë Agrare Ambientaliste, ishte i ftuar mbrëmjen e së martës në Debat nga Alba Alishani në A2 CNN ku u diskutua për fushatën e nisur nga partitë e quajtura të vogla për të ndryshuar sistemin zgjedhor në Shqipëri përmes mbajtjes së një referendumi.
Ai u shpreh se me këtë nismë synohet një sistem i ri zgjedhor dhe rrëzimi i një padrejtësie të nisur nga viti 2008.
“Ne mendojmë se është momenti i duhur për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Aktualisht jemi dy vite para zgjedhjeve dhe kemi mundësi të arrijmë një produkt final. Ky sistem zgjedhor është i padrejtë dhe nuk ka konsensus të të gjitha forcave, pasi është bërë vetëm nga dy partitë e mëdha. Ndërsa më pas popullit janë shitur listat e hapura, ndërsa kemi të bëjmë sërish me lista të mbyllura. Populli voton një njeri dhe në parlament shkon një tjetër njeri.
Ne synojmë të rregullojmë gabimin e bërë, të hedhim poshtë një sistem zgjedhor që është i padrejtë”, tha Duka. (A2 Televizion)