“Ylli i Mirënjohjes” për Bill Klinton, Krasniqi: Përpjekje e Ramës për të lënë gjurmë në kujtimet e presidentit

Nga A2 CNN
3 Korrik 2023, 21:43 | Politikë
“Ylli i Mirënjohjes” për Bill Klinton, Krasniqi:

Analisti Afrim Krasniqi nga Instituti i Studimeve Politike, komentoi në Debat me Alba Alishanin dhe medaljen “Ylli i Mirënjohjes” që iu akordua presidentit të 42 të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Klinton gjatë vizitës në Tiranë.

Sipas Krasniqit bëhet fjalë për një medalje që jepet nga kryeministri dhe ministrat për mirënjohje dhe bashkëpunim dhe nuk është një nga dekoratat më të larta të shtetit që akordohen nga presidenti.

Krasniqi e sheh të gjithë ceremoninë si një përpjekje të kryeministrit Rama për të lënë gjurmë në kujtimet e presidentit amerikan.

“Vizitën e Klinton e shoh në kontekstin e zhvillimeve jozyrtare dhe agjendave të tjera. Ka një listë dekoratash. Dekoratat jepen nga presidenti i Republikës. Kjo është një listë medaljesh që jepet nga kryeministri dhe ministrat. E japin në emër të qeverisë për mirënjohje, për punë, për bashkëpunim, për administratë, për bashkëpunëtorë. Dhe Rama e ka përdorur në disa raste për figura politike, sportive, kulturore.  

Është një përpjekje e Ramës për të lënë gjurmë në kujtimet e presidentit Klinton për Shqipërinë, por Shqipëria ka president. Dhe çdo president do të ishte krenar për t’i dhënë “Urdhrin e Flamurit Kombëtar”, dekoratë që e mban George Bush e disa të tjerë. Ceremonia ishte ideuar në detaje për t’u organizuar në kryeministri dhe siç ndodh rëndomtë që kur vjen një njeri i shquar ne mundohemi ta përdorim për politikën e ditës, dhe Rama e përdori në mënyrë maksimale”, tha mes të tjerash Krasniqi.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Edicioni informativ nga Suela Demiri