Ministri i Drejtësisë ka startuar investimin e qeverisë në Kukës që është ndërtimi i një burgu të ri me kapacitet për 150 persona të dënuar dhe do të kushtojë 6.4 milion euro. Ky investim përveç lehtësirave dhe modernizimit që do t'i sjellë sistemit penitenciar në vend do të mundësojë dhe punësimin e rreth 140 personave.
“Një nga elementet më të rëndësishme është se 40 persona të cilët shtetas të Kosovës që vuajnë dënimin në Shqipëri do të afrohen shumë më pranë familjeve të tyre. Unë besoj që reforma në drejtësi nuk përfundon te vendimi i gjykatës, por është jashtëzakonisht e rëndësishme se si ne atë e shtrijmë edhe në mënyrën se si trajtojmë të dënuarit dhe se si zbatojmë vendimet penale në institucionet tona dhe besoj që sot në Kukës po bëjmë këtë gjë”, tha Gogu, përcjell A2 CNN.
“Synimi ynë kryesor që në nisje të detyrës së bashku me drejtorin e përgjithshëm të sistemit të ekzekutimit të vendimeve penale ka qenë që sistemi të jetë i sigurt dhe është i tillë. Prandaj është shtuar numri i inspektimeve, prandaj është shtuar numri i kontrolleve të cilat kanë rezultuar në zbatim të mëtejshëm të ligjit si për shkelësit e ligjit, por ashtu edhe për ata të dënuar të cilët meritojnë që të ë ushtrojnë të drejtat e tyre në të gjithë kohën që vuajnë dënimin. Sistemet e burgjeve duhet të jenë të sigurta, por gjithashtu duhet që të baraspeshojnë dhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe ky është synimi ynë dhe këtë do të garantojmë deri ditën e fundit që do të ushtrojmë këtë detyrë”. (A2 Televizion)