Pasuritë e konfiskuara nga SPAK të kthehen në shtëpi përkujdesjeje për të moshuarit. Ky ka qenë propozimi i Avokatit të Popullit, Endri Shabani, gjatë inspektimit të qendrës publike rezidenciale për të moshuarit në Tiranë.
Shabani tha se qeveria ka mundësi të dhjetëfishojë kapacitetin për strehimin e të moshuarve duke përdorur pasuritë dhe objektet e sekuestruara nga krimi i organizuar.
“Duke marrë shkas nga situata që po shikoj këtu, mendoj që ne si Avokat i Popullit do të avancojmë një propozim në mënyrë që pasuria e sekuestruar nga Prokuroria Speciale dhe Gjykata Speciale Kundër Korrupsionit të përdoret në funksion të atyre kategorive shoqërore që kanë më tepër nevojë. Statistikisht, ne kemi mundësi ta dhjetëfishojmë kapacitetin për akomodimin e të moshuarve vetëm nga pasuria që është konfiskuar deri tani.
Pra, ne kemi gjashtë qendra rezidenciale për të moshuarit në Shqipëri. Ndërkohë, ka mbi 61 objekte, një pjesë e të cilave janë hotele që janë sekuestruar dhe konfiskuar nga grupet kriminale e që tashmë janë në pronësi të shtetit. Këto objekte të sekuestruara dhe të konfiskuara mund dhe duhet të vendosen në dispozicion të të moshuarve, të cilët sot kanë ezauruar kapacitetet publike për strehimin e tyre”, tha ai, përcjell A2 CNN.
Avokati i Popullit deklaroi se do të ushtrojë të gjithë kompetencën e tij që kjo nismë të kthehet në politikë shtetërore.
Gjatë inspektimit të qendrës së të moshuarve në Tiranë, Avokati i Popullit konstatoi mungesë stafi mjekësor dhe infermieror, si dhe mungesë ambientesh për trajtimin e të moshuarve me probleme të rënda shëndetësore.
“Këto qendra rezidenciale për të moshuarit nuk kanë mjaftueshëm staf mjekësor, nuk kanë mjaftueshëm mjekë dhe infermierë. Punojnë me mjekë që janë me kohë të pjesshme dhe me nga një infermier që po ashtu është me kohë të pjesshme. Kjo nuk është e mjaftueshme për të trajtuar nevojat e këtyre qytetarëve që ndodhen në këto qendra rezidenciale. Kjo gjë kërkon një vëmendje urgjente nga shteti”, tha Shabani.
Pas inspektimit, institucioni i Avokatit të Popullit pritet të publikojë raportin e detajuar në lidhje me kushtet dhe gjendjen e qendrës publike për të moshuarit në Tiranë. (A2 Televizion)